
Sekretari i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Lammy, ka thënë në Beograd se me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka biseduar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe për veprimet antikushtetuese të presidentit të Bosnjës e Hercegovinës, entiteti Republika Srpska, Milorad Dodik.
Pas takimit, Lammy tha se një Ballkan Perëndimor stabil dhe i sigurt është i rëndësishëm për Britaninë e Madhe dhe se Serbia luan një rol themelor në sigurimin e këtij stabiliteti.
“Filluam të flasim për atë që më shqetëson – veprimet antikushtetuese të presidentit Dodik dhe si të inkurajojmë sërish normalizimin mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Lammy pas takimit.
Vuçiq tha se kur është fjala për çështjen e Kosovës, janë pajtuar se dialogu është i një rëndësie vitale.
Megjithatë, ai deklaroi se nuk ndan mendimin e tij mbi situatën në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH).
“Nuk mund të pajtohem që veprimet antikushtetuese të Milorad Dodik janë fajtori apo fajtori i vetëm për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Vuçiq, raporton REL në gjuhën serbe.
Ai shtoi se Serbia gjithmonë do të respektojë Marrëveshjen e Dejtonit dhe në përputhje me rrethanat integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.
“Ne nuk duam asnjë konflikt”, tha Vuçiq.
Më 27 mars, Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës kërkoi nga Interpoli që të lëshojë një urdhër të kuq për Milorad Dodik dhe Kryetarin e Parlamentit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiq, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të “sulmimit të rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës”.
Më 2 prill, Dodik tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq e informoi atë se Interpoli refuzoi kërkesën e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për të lëshuar një urdhër të kuq për ta pas ankesës së Beogradit.
Vuçiq nuk foli për këtë në konferencën për shtyp, të cilën e mbajti me David Lammy.
Lammy po ashtu përmendi se Britania e Madhe është e vetëdijshme se në Serbi po zhvillohen protesta të mëdha. Ai tha se bëhet fjalë për një bisedë mes Qeverisë së Serbisë dhe qytetarëve të saj, të cilët po shprehin të drejtën e tyre për protestë paqësore.
“Më lejoni të theksoj se Mbretëria e Bashkuar nuk ndërhyn. Ne kemi institucione demokratike për sundimin e ligjit, ne vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në përputhje me atë që qytetarët e Serbisë thonë se duan dhe në përputhje me dëshirat e presidentit për të përshpejtuar punën kur bëhet fjalë për integrimin evropian”, tha Lamy.
Në Serbi, dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë prej muajsh me kërkesën kryesore për të vendosur përgjegjësinë penale dhe politike për rënien e çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor dhe vdekjen e 16 personave.