Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se për rastin Haradinaj, nuk ka folur me askënd në Slloveni.
Ai, siç transmetojnë mediet serbe ka deklaruar se “nuk ka dashur të përzihet në punët e organeve të drejtësisë”, transmeton Klan Kosova.
Shefi i qeverisë serbe ka bërë të ditur një detaj interesant, kur ka thënë se Haradinaj kërkohet sipas një aktakuze të ngritur më 1 shtator 2014, në të cilën ai ngarkohet për krime luftë ndaj një kolone me romë.
Vuçiq ka thënë në një konferencë shtypi në Beograd se MUP-it të Serbisë i është dërguar “një përshkrim i veçantë” në të cilin është shkruar edhe përgjigja në lidhje me këtë rast.
“Ne veprojmë në pajtim me kërkesat që i marrim prej organeve hetuese në Slloveni e Zvicër”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka deklaruar se rasti Haradinaj është shumë më ndryshe nga ai i arrestimit të boshnjakut Naser Oriq, 10 ditë më parë, në Slloveni, që u ndalua nga autoritetet zvicerane në bazë të një fletarresti të Serbisë.
Vuçiq ka përsëritur edhe sot se është befasuar për të keq me arrestimet e Haradinajt dhe Oriqit, dy ish-armiqve të Serbisë nga Bosnja e Hercegovina dhe Kosova.
Në një konferencë për gazetarë, ai tha se e habit fakti pse këto dy arrestime ndodhin pikërisht në prag të shënimit të 20 vjetorit të krimeve në Srebrenicë, si dhe të vazhdimit të dialogut në Bruksel.