Serbian Prime Minister Aleksandar Vucic gestures during a press conference, in Belgrade, Serbia, Sunday, Oct. 30, 2016. Vucic was moved to a safe location after a large cache of weapons was found Saturday near his family house outside Belgrade, the interior minister said. (AP Photo/Darko Vojinovic)
Autobusët me qytetarë nga Lleskovci, Vllasotinaci, Bojniku dhe komunat e tjera të Serbisë jugore kanë arritur në Vranjë që në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka filluar fjalimin e tij rreth orës 11:20, shkruan Danas, përcjell Klankosova.tv.
“Situata gjeopolitike në botë ka ndryshuar në mënyrë më drastike sesa gjatë rënies së Murit të Berlinit, vetëm disa prej nesh bëjnë sikur nuk e shohin se sa e vështirë është pozita e Serbisë. Është një dozë e padurueshme lehtësie, me të cilën do të shkatërrohej vendi brenda një jave. Ata as nuk e dinë se çfarë do të thotë shtet”, tha presidenti serb.
Siç shpjegon ai, kjo sjell me vete vendime shumë më të vështira.
“Obligim të parë e kemi ta mbrojmë Serbinë, të dytin e kemi që të mbrojmë interesat kombëtare dhe të tretë është të mbrojmë paqen dhe stabilitetin. Në Vranjë lindën 620 fëmijë dhe vdiqën mbi 1000 njerëz. Për kë ndërtojmë rrugë e restaurojmë muzeun”, thotë Vuçiq.
Ai përmend se nuk do ta njohë Kosovën dhe se ka bërë betimin për Kushtetutën dhe Ungjillin e Mirosllavit.
“E di se për çfarë jam betuar, Kushtetutën e Serbisë dhe Ungjillin e Mirosllavit. Nuk do të jem unë ai që do t’ua nënshkruaj pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë! Nuk ka dorëzim, ne nuk do ta njohim pavarësinë as de facto as de jure”, tha Vuçiq.
Vuçiq paralajmëroi rritje të re të pensioneve në qershor dhe theksoi “se nuk do të ketë dorëzim, tradhti, kapitullim, por luftë për Serbinë dhe Kosovën”.
Pas vizitës në Vranjë, Vuçiq vazhdon turneun e tij në Serbinë jugore me një vizitë në Bujanoc, Trgovisht dhe Bosilegrad dhe përfundon në liqenin Vllashin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka nisur formimin e Lëvizjes Popullore për Shtetin, ndërsa turneun nëpër komuna e ka nisur nga Vranja, ku sot është mbajtur një tubim i madh në Pallatin e Sporteve. Në mbledhjen e kryesisë së partisë, ai ka bërë të ditur se do të bëjë përpjekje që në vitin e ardhshëm të vizitojë çdo komunë të Serbisë dhe po ashtu ka thënë se shpreson që të mund të shkojë edhe në Kosovë.
Para ardhjes së presidentit në jug të Serbisë, në Vranjë kanë qenë zyrtarë të lartë të SNS-së, Darko Glishiq dhe Dragan Stevanoviq, të cilët kanë biseduar me përfaqësuesit e të gjitha komisioneve për organizimin e një tubimi përkrahës.
Kryesia dhe Bordi Kryesor i Partisë Progresive Serbe (SNS) të premten e kanë përkrahur njëzëri propozimin e Aleksandër Vuçiqit për formimin e Lëvizjes Popullore për shtetin dhe Vuçiq ka thënë se nuk përjashtohet që kjo lëvizje të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.