Është mbajtur mbrëmë në Sheshin e Lirisë në Novi Sad ceremonia shtetërore e asaj që njihet si Dita e Përkujtimit të serbëve të vdekur dhe të internuar në Operacionin “Stuhia” në Kroaci.
Aty mori pjesë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili iu drejtua turmës duke thënë se me vite në Serbi duket se nuk ka dëshmitarë të, siç tha, krimeve të kryera kundër popullit të tij.
As në këtë rast ai nuk la pa e përmendur Kosovën, duke thënë se ditët e fundit kanë qenë më të vështirat për të në periudhën e viteve të fundit.
“Na sollën në skaj kur më duhej të thosha se nuk kemi ku të shkojmë. Kur të jetë puna kështu, atëherë ne do t’i mbrojmë njerëzit tanë”, tha Vuçiq, duke sqaruar se për çështjen e fundit në Kosovë lidhur me barrikadat u kishte thënë liderëve botërorë se “nuk kemi ku të shkojmë tjetër”.
Më pas iu rikthye çështjes për të cilën ishin mbledhur një numër i madh i serbëve në shesh, duke deklaruar se ky është viti i nëntë që përkujtojnë dëbimin, krimin e tmerrshëm dhe spastrimin etnik më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ne i ngarkuam njerëzit tanë me një ndjenjë të përjetshme faji, ne justifikuam çdo krim… Ata madje na ndryshuan emrin, na thirrën “Serbët e Kroacisë”, “Serbët e Bosnjës”, “Serbët e Kosovës”, dhe ne jemi vetëm serbë dhe nuk ka dallim mes nesh. Fakti që jetojmë në vende të ndryshme nuk do të thotë se i përkasim kombeve të ndryshme”.
“Ne gjithmonë do t’i pranojmë dhe pendohemi për krimet që disa kanë bërë në emrin tonë, por kurrë nuk do të heshtim dhe turpërohemi për krimin e bërë ndaj popullit tonë”, u shpreh Vuçiq në fjalimin e tij.
Kroacia feston 5 gushtin si festë shtetërore, ditën kur operacioni “Stuhia” përfundoi me hyrjen e ushtrisë kroate në qytetin praktikisht të shkretë të Kninit dhe ngritjen e flamurit kroat në kalanë e vendit. Që nga viti 2000, kjo ditë festohet edhe si Dita e Forcave të Armatosura Kroate.
Në aksion morën pjesë rreth 130 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura nga pala kroate.