Duke folur për incidentet e fundit dhe atë të sotshmin në Leposvaiq, ku Policia e Kosovës shtiu në dy të dyshuar që refuzuan urdhrat policor, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron ta fusë Serbinë në konflikt me NATO-n.
Sipas Vuçiq, vetëm gjatë kohës së Kurtit në kryeministri, kanë ndodhur 287 incidente.
“Në kohën e Kurtit, kanë ndodhur 287 incidente deri tani. Vetëm këtë vit, 10 më serioz. I fundit është i sotshmi ku u plagos Miljan D., i cili tani është në gjendje stabile dhe të cilit i dëshirojmë shërim të shpejtë”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se Kurti dëshiron një konflikt pasi që NATO është në anën e Kosovës, transmetojnë mediat serbe.
Ai, në një adresim publik, ka deklaruar se askush nuk e ka pyetur Serbisë për realizimin e propozimit franko-gjerman.
“Pa asnjë shkas. Nuk bëmë asgjë, asnjë shqiptar nuk është qëlluar, dhe erdhën dhe na e treguan planin. Fakti se ka një obligim për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, është i fsehur”, ka thënë ai tutje.
Vuçiq është ankuar se pesë përfaqësuesit ndërkombëtarë i kanë kërkuar që ta pranojë propozimin. Sipas tij, atij i është bërë e qartë që nëse nuk pranohet plani, Serbisë do t’i ndërpritet rruga e anëtarësimit në BE, do të ndalen dhe tërhiqen investimet si dhe do të ketë pasoja ekonomike dhe politike.
“Kjo më është përsëritur tre herë. Secilën herë, kam reaguar fuqishëm”, ka thënë Vuçiq. /GazetaExpress