Presidenti serb, Aleksanër Vuçiq, javën e ardhshme e ka cilësuar si “të vështirë për Serbinë”, teksa shtoi se “kemi obligime ndërkombëtare”.
Aleksandar Vučić, presidenti i Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillojë bisedime me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me të cilët do të diskutojë për zhvillimet në veri të Kosovës.
Kështu është shprehur ai në një video-mesazh të publikuar në llogarinë e tij u në Instagram.
Vuçiq, javën e ardhshme e ka cilësuar si “të vështirë për Serbinë”, teksa shtoi se “kemi obligime ndërkombëtare”, shkruan Kosovo-Online.
“Java e ardhshme është e vështirë për të gjithë ne, kemi shumë detyrime ndërkombëtare. Do të kemi biseda me të gjithë liderët evropianë prej Bratislavës, Kishinaut, bisedimet me Macron, Scholz”, ka thënë Vuçiq.
Ndryshe, më 26 maj, grupe të serbëve lokalë kundërshtuan shkuarjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Kryetarët e rinj u asistuan nga Policia e Kosovës për të shkuar në zyrat e tyre. Por, tensionet u rritën dhe serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar këtë veprim të Prishtinës, duke e cilësuar si “hyrje me forcë” në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj, që u zgjodhën në zgjedhjet lokale të 23 prillit.
Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.
Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.