Vuçiq i reagon Pendarovskit: I kam thënë mos fol për Kosovën, ai po ua bën qejfin gjermanëve

E publikuar: 16/05/2020 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhur me intervistën e presidentit të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski, të dhënë për Gazetën Express gjatë së premtës, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Kreu i shtetit serb thotë se Pendarovski me deklaratat e tij kundër idesë së ndryshimit të korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve dëshiron që t’u hyjë në qejf gjermanëve, pasi sipas tij, një deklaratë të ngjashme e ka dhënë ditë më parë ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass.

“Pendarovski dëshiron t’iu hyjë në qejf gjermanëve”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për TV Prva teksa ka komentuar qëndrimet e Pendarovskit të dhëna për Gazetën Express.

Më tej kreu i shtetit serb ka treguar se kur kishte shkuar në përurimin e Pendarovskit si president i kishte kërkuar që të kishte kujdes dhe të mos fliste për temat që lidhen me dialogun me Kosovën dhe njohjen e pavarësisë.

“Kur shkova në përurimin e Pendarovskit, i kërkova vetëm një herë që t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe që të mos flasë për temat që ndërlidhen me Kosovën”, ka potencuar Vuçiq.

Megjithatë thotë se Pendarovski e ka bërë të kundërtën çdo herë dhe sipas tij veprimet të tilla të maqedonasve janë për t’ua bërë qejfin gjermanëve.

“Sigurisht, ata bënë gjithçka kundër kërkesës time, për t’ia bërë qejfin Gjermanisë”, ka shtuar tutje kreu i shtetit serb.

Teksa ka folur rreth kundërshtimeve për idenë e korrigjimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, Vuçiq ka thënë se një gjë e tillë tregon se BE dhe liderët e rajonit presin që Serbia ta njohë plotësisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Ndaj deklarimeve të Pendarovskit në Gazetën Express ka reaguar sot ashpër edhe ministri i mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin.

Vulin ka thënë se askush nuk do ta pyet Pendarovski dhe as s’do të marrë opinionin e tij për atë se si Serbia duhet të zgjidh problemin me Kosovën.

“Askush nuk do ta pyet Pendarovskin për opinionin e tij rreth zgjidhjes së problemit me Kosovën”, ka thënë Vulin, raporton Gazeta Express.

Të premtën ekskluzivisht për Gazetën Express nga zyra për media e Presidencës së Maqedonisë së Veriut, kanë thënë se Pendarovski beson që korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve mund të ketë efekte të dëmshme dhe se rrezikon gjithë progresin

“Presidenti Pendarovski beson se zgjidhjet që mund të çojnë në korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e tokës dhe njerëzve mund të kenë ndikim të pafavorshëm në rajon dhe efekt të dëmshëm për përpjekjet gjithëpërfshirëse të bëra në rimëkëmbjen pas konfliktit të rajonit dhe në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme multi-etnike”, ka thënë për Gazetën Express, Biljana Radeva.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, një zgjidhje që mund të vijë përmes një ideje të tillë do të ketë efekte të dëmshme për rajonin dhe do të vërë në rrezik gjithë progresin që është bërë në 20 vjetët e fundit. Pendarovski ndërkohë mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi dhe thotë se është për një marrëveshje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit që ka garancinë e fortë ndërkombëtare dhe që i kontribuon stabilitetit./GazetaExpress/