Liderët e Serbisë janë shastisur nga vizita e kancelares Angela Merkel në këtë shtet, mbrëmë e sot.
Kjo pasi gjermania foli mirë për shtetin e tyre, kur tha se çmon shumë gatishmërinë e Beogradit për kompromis në dialog me Prishtinën.
“Kështu nuk ishte në vitet e kaluara, prandaj ju mund të llogarisni në mbështetjen e Berlinit. Gatishmërinë e madhe për kompromis do ta vlerësojmë pozitivisht dhe do ta theksojmë edhe gjatë diskutimeve brenda BE-së”, tha Merkel gjatë një konferencë shtypi pas takimit me nikoqirin Aleksandar Vuçiq, njofton RTS, transmeton Klan Kosova.
Pos, kësaj, ajo tha që Serbia mund të llogarisë hapjen e kapitujve të parë në negociatat për anëtarësinë në BE.
Këto deklarata e kanë ngazëllyer Vuçiqin, që u shfaq modest në kërkesat për Merkelin.
“Sot nuk i kërkova kancelares as para, e as hapjen e kapitujve për negociata, edhe pse Gjermania është vendi më i rëndësishëm i BE-së”, tha ai. “Do të doja që të gjithë në Bruksel të ishin partnerë të besueshëm si Gjermania dhe unë do të jap gjithçka nga vetja në mënyrë që Serbia të bëhet partner besnik i Gjermanisë”.
Dhuratat për Merkel
Me gjasë, serbët e kanë ditur se Merkel do të jetë e mirë për ta. Prandaj, edhe i kishin bërë gati një pritje të veçantë. Është raportuar se të paktën 5 ansamble folklorike kanë performuar për kancelaren, mbrëmë, gjatë një periudhë të shkurtë kohore. Edhe ushqimet e shërbyera gjatë darkës, kanë qenë tradicionale, nga të gjitha rajonet e Serbisë. Po ashtu, janë sjellë edhe verëra unike.
E Vuçiq është treguar i kujdesshëm, edhe kur i ka bërë asaj një dhuratë. Për këtë, serbi ka zgjedhur një libër për shkencëtarin Nikola Tesla, që ishte bashkëkombës i tij. Kjo dhuratë thuhet se është zgjedhur qëllimisht, pasi Merkel është fizikane me profesion.
Por, bërllok e ka bërë presidenti Tomislav Nikoliq. Ai është shfaqur nacionalist kur ka bërë gati peshqeshin për gjermanen. Ai, siç raportojnë mediet në Serbi, ka bërë gati një libër për kancelaren, që titullohet “Trashëgimia e krishterë në Kosovë e Metohi”.