Vuçiq flet me Blinken, kërkon lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar nga Policia e Kosovës

E publikuar: 26/06/2023 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken.

Në këtë bisedë Vuçiq ka kërkuar lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar nga Policia e Kosovës.

“I thash [sekretarit Blinken] që Serbia po sillet me seriozitet dhe përgjegjësi, por që edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë arrestuar qytetarë serbë arbitrarisht për çdo ditë, ku dhe kërkova lirimin e të gjithë serbëve”, është shprehur Vuçiq.

“Po ashtu theksova që duhet dorëheqje e menjëhershme e kryetarëve dhe largim nga katër objektet komunale në veri, sikurse edhe tërheqjen të njësive speciale, si një çelës për qetësim të situatës”.

Kjo bisedë telefonike mes Vuçiqit dhe Blinkenit vjen në mes të përpjekjeve diplomatike nga komuniteti ndërkombëtar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.

Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në dhunën ndaj ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga veriu.

Zyrtarët në Serbi dhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovës, që gëzon mbështetjen e Beogradit – i konsiderojnë arbitrare këto arrestime.

Komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës që të shtensionojë situatën dhe i ka paraqitur tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, nga Beogradi zyrtar po kërkohet që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.