Kryetari i Lëvizjes “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka njoftuar se në mënyrë të ngjashme si Rada Trajkoviq, është ndaluar nga autoritetet serbe në Merdare derisa kishte qenë duke shkuar në Serbi nga Kosova.
Bogdanoviq tha se arsyeja pse e kanë ndalë ishte një takim i tij me kryeministrin Albin Kurti.
“Arsyeja e qëndrimit tim në vendkalim është konferenca për media që u mbajt në Kosovë së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si dhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte shumë konstruktiv. Kurti tregoi respekt për organizatën politike që unë drejtoj dhe regjistrimi i ‘Odgovor’ në Kosovë është duke u bërë”, tha Bogdanoviq për portalin serb N1, transmeton Gazeta Express.
Ai tha se u nxor nga autobusi që udhëtonte në linjën Graçanicë-Beograd nga policia serbe, të cilët i kishin dhënë dy mundësi – të priste në kufi për një vendim për të ose të kthehej në Kosovë.
“M’u afruan pjesëtarë të policisë, ishin shumë profesionistë, më thanë që duhej të lija autobusin dhe të nxirrja gjërat. Me mua ka udhëtuar drejtoresha politike e Odgovor, Marija Iliq, e cila u solidarizua me mua dhe doli nga autobusi. Në ambientet e policisë më kontrolluan sendet e mia pa presion. Më thanë se kishte një urdhër që unë të ndalesha këtu, pa shpjeguar pse. Kështu është ndaluar edhe Rada Trajkoviq”, ka thënë Bogdanoviq.
Ai tha se ka zgjedhur opsionin e pritjet në pikën kufitare, derisa ka thënë se Serbia është atdheu i tij dhe se i mohohet e drejta themelore e njeriut për lirinë e lëvizjes.
Bogdanoviq tha se mbajtja e tij është “revanshizëm politik ndaj kujtdo që kundërshton politikën e Beogradit zyrtar”.