Vuçiq çuditet pse po i kërkohet direkt njohja e Kosovës

E publikuar: 14/06/2022 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vucic k4ebabms.cloudfront.net_production

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po çuditet pse po i kërkohet direkt njohja e pavarësisë së Kosovës si kusht për ecjen tutje të vendit të tij drejt Bashkimit Evropian.

Thotë se e ka ditur këtë, por nuk ia ka përmendur askush në takime zyrtare.

“Këtë e kemi vënë re, por në procesin zyrtar të negociatave në tavolinë ende është tema ‘normalizim i plotë i marrëdhënieve’ dhe askund nuk flitet për njohje reciproke”, u shpreh Vuçiq, përcjell të martën “B92”.

Duke komentuar raportin përfundimtar për Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku kërkohet që marrëveshja finale Kosovë – Serbi të ketë njohjen reciproke në thelb, Vuçiq pohoi se këtë ia ka thënë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz para pak ditësh.

“Do të jetë interesant 23 qershor në Bruksel, kur duhet të merret një vendim për Ukrainën. Për herë të parë askush i gjallë në këtë tokë nuk e di se çfarë do të ndodhë”, tha Vuçiq.

Më 23 qershor, në Bruksel do të mblidhen liderët e shteteve të BE-së.

Teksa foli për shtetet veç e veç se çfarë kushtesh duhet të plotësojnë për integrime evropiane, për Serbinë nuk pati përgjigje.

“Çfarë duhet të bëjmë ne, në të njohim Kosovën?, pyeti ai, por nuk dha përgjigje.