Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq gjatë së dielës ka dhënë një intervistë për një televizion serb, ku ka folur për takimin në Bruksel më liderët evropiane dhe planin e ofruar nga pesë emisarët euro-amerikanë më 21 tetor.
Në këtë intervistë Vuçiq – ku si zakonisht nuk ka munguar drama dhe tensioni që krijon gjatë bisedës – ka thënë se nuk mund të pranojnë asgjë që lidhet me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin saj në OKB.
“Nuk kam kërkuar asnjë letër anësore, siç ka thënë Kurti. Unë thashë se jemi të gatshëm t’i kryejmë obligimet tona dhe më pas vendosa presje dhe shtova se nuk mund të pranojmë asgjë që lidhet me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin në OKB. E kam thënë edhe në Ohër edhe në Kishinau, e kam thënë çdo herë”, ka thënë Vuçiq.
“Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin. Ju keni parë që në shumë vende ka aktorë politikë që nuk duan të shohin Asociacionin, si Alicia Kearns. Nga ana tjetër, autoritetet në Gjermani kërkojnë zbatimin e tij”, ka shtuar Vuçiq.
Më tej Vuçiq ka treguar se si ka refuzuar të nënshruajnë dokumente e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovës.
“Unë isha ulur përballë Macron, Scholz, Borrell, Lajçak. Dhe Macron më jep letrat dhe më thotë firmos, dhe unë ulem vetëm, dhe mendoj, dhe në fund them se kam Kushtetutën e Serbisë, të cilën e dua dhe e respektoj, dhe se nuk mund ta nënshkruaj”, ka shtuar personazhi “drama queen” i Ballkanit (Vuçiq).
Nën tension dhe dramë që krijonte në studio, sipas tij, Serbia nuk është në pozitë të lehtë, por, se me të në krye të vendit nuk ka hapësirë për shqetësim dhe se do ta shtyjë vendin përpara.