Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s ka filluar takimin e vet vjetor. Në këtë konferencë, që do të zgjasë deri më 18 nëntor në Paris,pritet që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s.
Serbia gjatë kësaj kohe ka vazhduar aktivitetin e vet për ta penguar anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë të Kombeve të bashkuara .
Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, siç njoftojnë medie të Beogradit, transmeton Koha.net, po bisedon me kryeministra të vendeve të botës për t’i bindur që vendet e tyre të votojnë kundër Kosovës.
“Nuk jam as optimist dhe as pesimist. Nuk kam arsye të jem optimist sepse e di se fuqitë e mëdha do ta vazhdojnë politikën e tyre. Mbrëmë kam biseduar me dy kryeministra të cilët kanë qenë “për” dhe i kam lutur që tash të jenë të përmbajtur”, ka thënë Vuçiq .
Ai ka shtuar se Serbia në kuadër të fushatës anti Kosovë ka folur me vende me të cilat nuk kishte folur askush qe 70 vjet, siç ka thënë, që nga Mauriciusi deri te papa Guineja e Re.
UNESCO e ka caktuar orarin takimeve në Konferencën e Përgjithshme të 36 –të. Në faqen 15 të agjendës gjendet pika 8.3 në të cilën vendoset për pranimin e Kosovës.
Pritet që në rend të ditës kjo pikët të jetë në fillim të javës së ardhshme.



















