Vucic
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shfryrë mllefin ndaj ish ministres së jashtme greke, Dora Bakoyannis, raportuese në Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në raportin e saj i rekomandoi Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Presidenti serb në një adresim për qytetarët e Serbisë, ka thënë se tema më e rëndësishme për vendin e tij është çështja e Kosovës si dhe anëtarësimi i mundshëm i saj në Këshillin e Evropës.
Vuçiqi duke fyer diplomaten greke, ka thënë “Turp të kesh Dora Bakoyannis, turp të kesh”. Ai tha se “për tre ditë ka ndryshuar mendje. E mjerë dhe ferr”, tha ai, transmeton Telegrafi.
“Turp. Dhe pastaj iu kujtua se nuk është me rëndësi Asociacioni, as shpronësimin apo asgjë, Manastiri i Deçanit, as faktin që serbëve u mohohet e drejta për të përdorur gjuhën serbe, se ata janë të ekspozuar ndaj forcës brutale disproporcionale”, shfryu mllefin Vuçiq.
Ai ka thënë se “Bakoyannit duhet t’i vijë turp sepse ka hequr dorë nga parimet e saj dhe tre ditë para seancës së Komisionit për Çështje Politike dhe Demokratike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka rekomanduar anëtarësimin e Kosovës”.
“Disa njerëz kanë kurriz në arenën ndërkombëtare, e disa nuk kanë”, tha Vuçiq në konferencën për media, transmeton Telegrafi.
Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se katër herë përfaqësuesi amerikan, katër herë përfaqësuesi evropian, tri herë përfaqësuesi i Francës, një herë përfaqësuesi italian i kanë thënë se obligim thelbësor i Kosovës formimi i Asociacionit të komunave me shumicës serbe.
“Në fytyrë më është përsëritur në disa raste se Serbia nuk ka asnjë obligim dhe se obligimi i parë ka të bëjë me formimin e Asociacionit”, tha Vuçiq.
Vuçiq, që nuk ka përmendur largimin e Serbisë nga Këshilli i Evropës, pas anëtarësimi të Kosovës në këtë organizatë (siç ka paralajmëruar gjatë javës), ka thënë se vendi i tij po e paguan për shkak të situatës së përgjithshme në botë.
“Pa dashur që një reagim i shpejtë të prodhojë pasoja për të ardhmen e Serbisë, kam thënë se jemi në një situatë të vështirë dhe sigurisht që gjithmonë dhe në çdo situatë mund të mendoni se çfarë keni kontribuar që të gjendeni në një situatë të tillë. Por këtë herë ne po paguajmë vërtet një çmim të lartë jo për fajin tonë, por për shkak të situatës së përgjithshme në botë”, tha ai.
Më tej, Vuçiq, siç transmeton “Danas”, ka thënë se dëshiron t’i theksojë tri gjëra për Serbinë.
“Së pari, do të shihni se është një presion i përgjithshëm mbi Serbinë dhe popullin serb për shkak të pozicionit tonë ushtarak dhe neutralitetit ushtarak. E dyta, është qëndrimi ynë ndaj Ukrainës dhe qëndrimit të Serbisë që dënon sulmin ndaj Ukrainës dhe nuk i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë. Arsyeja e tretë lidhur me të dy të përmendurat është se vendet perëndimore ndjejnë një presion të madh për shkak të avancimit të forcave ruse dhe pasigurisë se si do të përfundojë konflikti dhe ndoshta mesazhet e ardhshme nga Rusia, që do të ishte një precedent sikurse Kosova”, ka deklaruar ai, transmeton Telegrafi.
Ai deklaroi se populli serb zakonisht vihet në sulm kur “duhet të dalim nga duart e Vladimir Putinit”.
“Populli ynë është në një situatë të vështirë në Kosovë”, tha ai.
Vuçiq tha se kur Kurti nuk ishte në pushtet, kishte dukshëm më pak sulme ndaj serbëve dhe pronës serbe.
“Sponsorët dhe këshilltarët e Kurtit pretendojnë se ka të bëjë me zbatimin e sundimit të ligjit”
Sponsorët e Kurtit, tha Vuçiq, dhe këshilltarët e tij pretendojnë se bëhet fjalë për zbatimin e sundimit të ligjit kur bëhet fjalë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kur kjo nuk na pëlqen neve, thonë se jemi kundër Kurtit. Thonë se i kanë vënë sanksione Kosovës, e çfarë nënkuptohet me ato sanksione… Epo mallrat serbe aty nuk kalojnë me muaj të tërë, kjo nuk i intereson askujt”.
Ai tha se “prej nëntë muajsh thonë (ndërkombëtarët) i kanë vendosur [Kosovës] sanksione në vitin e kaluar, por kanë marrë pjesë absolutisht në të gjitha forumet ata ndaj të cilëve kanë vendosur sanksione. E kam fjalën për fuqitë perëndimore”.
“U vendosën sanksione që dikush të izolohet dhe Kosova të mos ekzistojë në asnjë forum ku nuk ishte ftuar. Liberalizimi i vizave dhe avancimi i statusit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe shihni çudinë në ditën e bombardimeve të NATO-s, ky nuk ishte bombardim, është agresion i pëlqeu ose jo SHBA-së, nuk më intereson, ishte agresion, dhe do të jetë për aq kohë sa unë të jem president dhe sa të kem ndikim në parti”.
“E ndëshkuan Kosovën duke nisur një iniciativë për pranim në Këshillin e Evropës”, tha ai.
Vucic ka folur edhe për negociatat për zgjidhjen e krizës së dinarit duke dhënë edhe detaje se ku ka mbetur sipas tij çështja dhe duke i ofenduar përsëri bashkësinë ndërkombëtare.
“Duan që t’ua shesim ekspoziturat e Kursimores Kombëtare të huajve. Jeni ju serioz? Ata thjeshtë nuk janë normal. Mund të qeshi, ata të gjithë së bashku nuk janë normal! As nuk na shkon në mendje të pranojmë heqjen e dinarit. Më mos ejani e të na prekni krahun, mjaft na gënjyet e mashtruat” tha Vucic.
Presidenti i Serbisë, rikujtojmë, të enjten deklaroi se Serbinë e presin ditë të vështira dhe paralajmëroi se së shpejti do t’i informojë qytetarët për të gjitha sfidat që e presin.
“Serbinë i presin ditë të vështira. Në këtë moment nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lajmesh kemi marrë në 48 orët e fundit… Ato kërcënojnë drejtpërdrejt interesat jetike kombëtare të Serbisë dhe Serbisë”, ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.