Vuçiç: Kam qenë i gatshëm për kompromis, por Kurti dëshiron veç njohje de jure – jo de facto, por de jure

E publikuar: 27/06/2024 21:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Aleksandar-Vucic-Foto: Facebook

Aleksandar-Vucic-Foto: Facebook

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një paraqitje televizive të enjten në mbrëmje, pretendoi se për shkak të insistimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Serbia ta formalizojë njohjen e Kosovës, dështoi edhe takimi i planifikuar në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën lehtësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Duke folur për refuzimin e kryeministrit Kurti që ta takojë të mërkurën në Bruksel të Belgjikës, presidenti serb theksoi: “Ai nuk ka dashur… nuk ka mundur. Nuk ka pasur dialog sepse ata nuk duan dialog, duan njohje de jure përmes tre kushteve. Kjo nuk është njohje de facto, kjo është njohje de jure dhe kjo është ajo që ata kërkojnë, kjo është ajo që ata dëshirojnë”.

“Ne kemi dashur të diskutojmë për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet kompromisit, por e kam ditur që në fillim se ata nuk janë të gatshëm për këtë… Ne jemi të gatshëm të bisedojmë, por nuk shoh mundësi serioze për vazhdimin e dialogut në të ardhmen e afërt”, shtoi mes tjerash ai.

Ndryshe, pavarësisht përpjekjeve të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, kryeministri kosovar dhe presidenti serb nuk u ulën në tryezën e negociatave. Kryeministri Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

E kushtet e vendosura nga Kurti për ta takuar Vuçiçin kanë qenë formalizimi i Marrëveshjes Bazë apo nënshkrimi nga liderët e të dyja shteteve, tërheqja e letrës të dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, si dhe dorëzimi i udhëheqësit të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës vitin e kaluar, Millan Radoiçiç, para autoriteteve gjyqësore të Kosovës.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, ata nuk kanë arritur akoma t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com

Gatimet tona pjekën në prush, prandaj edhe janë më të shijshme!

Posted by Pep's Taverna on Tuesday, April 28, 2020