Vuçiç: Franca dhe Gjermania kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB

E publikuar: 08/10/2022 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha të shtunën se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd gjatë së cilës tha se “pozicioni i Serbisë po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar sepse perëndimi po përpiqet të zgjidhë çështjen e Kosovës me anëtarësimin e saj në OKB, sepse mendon që me këtë do t’i marrë argumentet nga duart presidenti rus Vladimir Putin”.

Ai theksoi se propozimi i Gjermanisë dhe Francës është një çështje për të cilën duhet biseduar dhe menduar, meqë siç u shpreh “nuk mund ta hidhni nga dritarja propozimin që vjen nga dy nga vendet më të fuqishme, por nuk jam i sigurt që mund ta pranojmë”.

Presidenti serb tha se “thelbi i dokumentit është që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe krejt organizatat ndërkombëtare. Serbisë ndërkaq do t’i përshpejtohej anëtarësimi në BE dhe do t’i ofroheshin shumë lehtësira ekonomike”.