Problemet me ujë të pijshëm për banorët në disa zona të kryeqytetit janë kthyer në rutinë. Ata që jetojnë në Veternik pohojnë se ka rreth dy javë që nuk kanë ujë as një orë të vetme gjatë ditës, transmeton KTV. Nga ana tjetër, zyrtarët e ujësjellësit, përveç se nuk japin shpresë që gjendja do të përmirësohet, thonë se mund të bëhet edhe më keq nëse vazhdon keqpërdorimi i ujit. Ankesa për mungesë të ujit të pijes këtë vit kanë pasur edhe rajone të tjera nëpër Kosovë.
Ka rreth dy javë që banorët në disa pjesë të lagjes Veternik nuk kanë ujë të pijshëm.
Flakron Xhafa thotë se mungesa e ujit po u shkakton vështirësi për të kaluar një ditë normale.
Të tjerë ankohen se mungesa e ujit është kthyer në rutinë, derisa detyrohen që vazhdimisht të furnizohen me rezervarë.
Pos që u kushton financiarisht mbushja e rezervuarëve, sërish uji nuk po u mjafton dhe përsëri po iu duhet të bartin ose të blejnë ujë.
Hiç më mirë nuk i kanë punët me furnizim as lagjet e Hajvalisë, Qëndresa, Çagllavica dhe Miradia e Epërme.
Por, zyrtarët e Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës sërish kanë thënë se problemet me ujë janë pasojë e disa prishjeve teknike.
Përkundër kësaj, ujësjellësi i fajëson edhe qytetarët që po e keqpërdorin ujin, dhe sipas tyre nëse ky trend vazhdon, gjendja e furnizimit me ujë të pijes mund të kthehet në alarmante.
“Keqpërdorimi i ujit po vështirëson furnizimin në vendbanimet në zonat më të larta. Në të dy fabrikat e përpunimit të ujit si në Albanik po ashtu edhe në Badovc, po punohet me kapacitet maksimal dhe kjo falë niveleve të ujit nëpër liqene. Por shumë shpejt mund të ndodhemi në situatën e njëjtë të vitit të kaluar. Andaj apelojmë që ujin e pijes ta përdorni vetëm për pije dhe higjienë, e kurrsesi për ujitje apo destinime të tjera”.
Me vështirësi për ujë të pijes janë ballafaquar edhe shumë fshatra të qyteteve të tjera në Kosovë, për të cilat televizioni raportoi ditë më parë.