Vrasja në Torino, nga më shumë se dy persona. Historia e përplasjeve në Shqipëri
E shoqja, e cila ndodhej në ballkon, u përpoq që ta shpëtonte, duke hedhur një vazo lulesh nga lart, në drejtim të vrasësit
Policia – “Jemi duke hetuar të kaluarën e viktimës, pasi në vitin 2009, Fadili i kishte shpëtuar një prite të ngjashme, përpara një salle bingoje në Moncalieri. Edhe atëherë, ai që e qëlloi, kishte qëllim që ta vriste”
Mariglen Mullai
vendi i ngjarjes itali_1Ish-oficeri i Policisë së Shtetit vritet me pistoletë, teksa po shpërndante gazetat. Fadil Mema, 54 vjeç, u qëllua me gjashtë plumba pistolete nga më shumë se dy persona. Mema ka shërbyer për shumë vite si oficer policie në Elbasan dhe prej kohësh punonte si shpërndarës gazetash në Itali. Për vrasjen e tij, policia italiane ende nuk ka nxjerrë ndonjë version rreth pistave hetimore, por ai kishte lënë pas në Elbasan një histori të trazuar atentatesh, të lidhura me familjen Çapja. Dy familjet kishin pasur marrëdhënie shoqërore dhe miqësie, por më pas erdhi një seri vrasjesh, e cila dyshohet se nuk kurseu ish-efektivin 54-vjeçar, që mesa duket kishte emigruar në Itali, për t’iu shmangur ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Megjithatë, policia italiane po zhvillon hetime për shkaqet dhe autorët.
Vrasja në Itali
Ngjarja ndodhi në rrugën “Pavese” në Torino, ndërsa viktima është Fadil Mema, 54 vjeç, i martuar dhe me dy fëmijë. Mema punonte si shpërndarës gazetash dhe në vitin 2009 i kishte shpëtuar një atentati të ngjashëm. Ndërkaq, atentati i djeshëm ndodhi rreth orës 02:00, kur 54-vjeçari u godit me gjashtë plumba pistolete, teksa ndodhej në rrugë, përballë shtëpisë. E shoqja, e cila ndodhej në ballkon, u përpoq që ta shpëtonte, duke hedhur një vazo lulesh nga lart, në drejtim të vrasësit. Ndërkaq, vrasësi e qëlloi në shpinë dhe qafë Memën dhe u largua. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia e Torinos nisi hetimet, ndërsa sipas raporteve fillestare në krim kanë marrë pjesë të paktën dy persona. Ende nuk ka ndonjë pistë hetimi, në lidhje me motivin e vrasjes, e cila, sipas hetuesve, i ka të gjitha karakteristikat e sulmit të organizuar. “Ne jemi duke hetuar të kaluarën e viktimës, pasi në vitin 2009 Fadili i kishte shpëtuar një prite të ngjashme, përpara një salle bingoje në Moncalieri. Edhe atëherë, ai që e qëlloi, kishte qëllim që ta vriste, por Mema, edhe pse u qëllua në gjoks, nuk u lëndua seriozisht”, tha policia për mediat vendase. Në të kaluarën e tij kriminale, për kohën që ka qëndruar në Itali, Fadil Mema pësoi një dëmtim të vogël, kur disa vite më parë ai kishte pasur një sherr me një italian dhe të dy kishin denoncuar njëri-tjetrin. Por kjo histori nuk duket të jetë e lidhur me vrasjen.
Hakmarrja në Elbasan
Fadil Memës, në vitin 2006, kur ishte efektiv i policisë rrugore, iu bë një atentat në qytetin e Elbasanit, kur një i ri që u identifikua si Florenc Çapja, qëlloi disa herë me pistoletë në drejtim të tij. Mema mbeti i plagosur, ndërsa ngjarja ndodhi në prani të familjarëve të efektivit të policisë, të cilët identifikuan edhe autorin. Fadil Mema u dërgua në spital dhe u mbijetoi plagëve të marra, ndërsa autori i krimit, dy orë pas ngjarjes, u prangos nga policia. Familja Çapja kishte akuzuar Memën si organizator të atentatit, pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokolin. Të dyja familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Pas plagosjes, policia ndaloi një nga nipat e Sokol Çapes dhe një person tjetër. Por prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Disa kohë më pas u ekzekutua në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Policia nuk mundi të identifikojë dhe të kapë autorët. Në atë kohë, atentati u lidh me vrasjen e xhaxhait të atentatorit, 33-vjeçarit Sokol Çapja, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në vitin 2005 pranë hotel “Univers”, objekt në pronësi të viktimës. Sokol Çapja ishte një emër i njohur për policinë dhe organet e drejtësisë, ndërsa pati dyshime se në vrasje ishte i përfshirë edhe ish-efektivi i policisë, Fadil Mema. Organet e drejtësisë, në ato kohë, thanë se në vrasje u përshinë tre persona që kanë lidhje farefisnore me Memën. Më tej, Florenc Çapja, nipi i Sokol Çapes, që sapo ishte kthyer nga Zvicra, u dyshua si atentator i Memës. Fadil Mema ka pasur detyrën e shefit të qarkullimit në një periudhë trevjeçare, si dhe ka shërbyer si oficer i policisë rrugore deri para disa vitesh.