Vrasja e Marigona Osmanit, të premten shpallet aktgjykimi ndaj Krivaqës dhe Sejdiut

E publikuar: 01/08/2023 12:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore e Ferizajt ka njoftuar se më 4 gusht do të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, raporton Express.

Seanca do të mbahet me fillim nga ora 11:00.

Ju njoftojmë se të premten më 4 gusht 2023, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit D.K.,  i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Avokati i palës së dëmtuar, familjes Osmani, Gazmend Rexhepi ka kërkuar që ndaj të dyshuarve për dhunim dhe vrasje si dhe ndihmë në vrasje Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu të shpallet dënimi kapital.

Sipas Kodit Penal te Kosovës, ky dënim më i rëndi që e njohin ligjet e Kosovës është ai me burgim të përjetshëm.

Ndërkohë familja e 18-vjeçares Marigona Osmani pritet të kërkojë dëmshperblim dhe do të parashtrojë kërkesë për mbrojtje pasurore juridike pas përfundimit të këtij gjyqi.

Sipas të dëmtuarve, vrasja e Marigona Osmanit është më e rënda nga paslufta dhe është ende më mizore se sa që është paraqitur në aktakuzë.