Votohet me plot ndryshime plani rregullues për “Kalabrinë”

E publikuar: 03/06/2024 23:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka kaluar propozimi i shefit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, i paraqitur në seancën e gjatë e cila u mbajt sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës, rreth planit për lagjen Kalabria.

“Hapësirat e gjelbërta të kthehen ashtu siç kanë qenë, po flasim për parcelën E10-1, Parku Botanika që ka qenë në planin e kaluar të kthehet ashtu siç ka qenë, Parku Botanika me koeficientin 1.0, në hapësirat e verdha të parapara për zonë të shërbimeve të shkruhet përshkrimi ‘Zonë e Shërbimeve Publike Komunale’, te hapësira e Parkut që e quajtëm Parku Kalabria koeficienti nga 1 ngritet në 1.25, dhe hapësira e Stacionit llogaritet me koeficient 3.0”, ishte propozimi i cili kaloi.

Pro asaj që tha Sveçla, votoi një pjesë e LDK-së, AKK-ja, AKR-ja, ndërsa PDK-ja nuk e ka mbështetur.

Ndërsa ajo që propozoi shefi i asambleistëve të PDK-së, Leotrim Retkoceri, nuk kaloi, raporton Klankosova.tv.

Ai propozoi që të niset largimi i ndërtimeve në prona publike përreth Stacionit të Autobusëve, dhe kthimin e zonave të shërbimeve publike. Gjashtë vota ishin për, 18 kundër, dhe 0 abstenim.

Retkoceri kishte kritika për kryetarin e kryeqytetit, Përparim Ramën.

“Sillu si te ka hije si kryetar i Komunës, për këtë kuptoje që unë po të thërras Përparim, se as kryetar më nuk e ki atë kredibilitet”, tha ai.

“Pronat publike nëse po mendon të vazhdosh t’i trajtosh për ndërtim, kjo është gabim. Pse s’po pranon me heqë ndërtimin nga prona publike, qysh po ia rritë vlerën ti, herë po e rritë me 7 herë me 3”, shtoi Retkoceri.