Votohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Memli Krasniqi: Krenar që PDK i ka prirë këtij procesi

E publikuar: 08/06/2023 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas votimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, është shprehur se kjo është reforma më thelbësore zgjedhore që ka ndodhur në vendin tonë.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ndjehet krenar që PDK i ka prirë këtij procesi.

“Sot, pas një pune tejet të rëndësishme dhe profesionale nga Komisioni për Reformë Zgjedhore, i udhëhequr nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me konsensus të të gjitha partive parlamentare, është miratuar Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Pa asnjë mëdyshje, kjo është reforma më thelbësore zgjedhore që ka ndodhur në vendin tonë në mbi një dekadë, e për të cilën jam tejet krenar që PDK e ka udhëhequr si proces”, tha Krasniqi.Kreu i PDK-së tha se në Ligjin e ri janë adresuar rekomandimet e misioneve vëzhguese të BE-së, të KQZ-së dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Ai ka falënderuar për ndihmën dhe mbështetjen e këtij procesi edhe partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, OSBE-në, etj.“Reformat dhe lehtësirat në votim e proces adminsitrativ janë rrënjësore dhe do ta bëjnë diferencën në zgjedhjet e radhës – duke mundësuar një proces zgjedhor edhe më demokratik, më transaprent dhe më me integritet. Për mërgimtarët tanë, kemi lehtësuar procesin e regjistrimit të tyre, duke u krijuar mundësinë që të votojnë nëpër ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, por edhe që të dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës në shtetet ku jetojnë – duke eliminuar shpenzimet e shumta që ata kanë pasur deri sot përmes dërgimit të fletëvotimeve në Kosovë”, tha Krasniqi.Sipas ligjit të ri, votuesit në vendin tonë, qysh në zgjedhjet e përgjithshme të radhës, do të kenë mundësi të votojnë deri në dhjetë kandidatë, nga pesë sa kanë pasur deri tash, duke u dhënë më shumë mundësi për të zgjedhur përfaqësuesit që ata dëshirojnë.

“Për të rritur transparencën dhe për të eliminuar dyshimet dhe parregullsitë, votat për deputetë do të numërohen nën monitorim të shtuar nëpër qendra komunale të numërimit dhe jo në vendvotime, ku do të numërohen vetëm votat për subjektet politike”, tha Krasniqi.

Ligji i ri për zgjedhjet ka edhe shumë ndryshime dhe lehtësira të tjera thelbësore, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, që ata të kenë mundësi ta ushtrojnë pa vështirësi të drejtën e tyre të votës.

“Faleminderit shumë për punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm Abelardit, si udhëheqës i këtij procesi, deputetit Elmi Reçica, si anëtar i Komisionit dhe ekspertëve të tjerë të PDK-së, të angazhuar në këtë proces, Betim Gjoshi, Faton Fetahu, Ilir Gashi e Arianit Elshani. Urime të gjithë qytetarëve!”, tha Krasniqi.