Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tash ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe se dalja e qytetarëve për të votuar është 15.597 ose 81.29 për qind nga gjithsej 19.187 votues të regjistruar, raporton KosovaPress.
Kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi në konferencën e tretë për media, tha se gjatë gjithë ditës së sotme kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit në përgjithësi ka qenë i qetë.
“Deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në SHBA dhe Kanada…Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19.187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29 për qind apo 15,597 votues. Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë”, ka thënë Radoniqi.
Radoniqi ka pasur edhe një porosi për ditën e nesërme të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.
“Për nesër bëj apel për të gjithë këshillat e vendvotimeve dhe këshillave komunal që të jenë në nivel detyre dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin zgjedhore të KQZ-së. Na pret një ditë e gjatë nesër, një ditë ku do t’iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë janë në nivel të këtyre dhe të respektojnë rendin dhe ligjin”, tha Radoniqi.



















