Votimi i fshehtë për Kryetaren e Kuvendit, në fakt, më së shumti i ndihmon opozitës!

E publikuar: 02/05/2025 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe për këtë askush nuk ka asnjë dilemë. Për ta plotësuar këtë hap kushtetues drejt konstituimit të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendsoje ka dhënë propozimin e vet që është Albulena Haxhiu.

Por, diçka që do të duhej të ishte procedurë formale, u kthye në bllokadë nga opozita me sulmin ad-hominem për kandidaten si argument të vetëm. Një bllokadë e ngjashme procedurale u bë edhe me raportin për verifikimin e mandateve.

Siç edhe e dini, tek çështja e raportit të verifikimit të mandateve opozita reflektoi dhe ndryshoi qëndrim, duke zhbllokuar kështu një proces që ishte bllokuar panevojshëm.

Kurse tek votimi për Kryetar të Kuvendit, po e shohim që për disa seanca me radhë ata vazhdojnë të mos ndryshojnë qëndrim, duke e mbajtur kështu të bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe proceset tjera që pasojnë.

Me sa duket, partitë opozitare e kanë hallin që nëse e zhbllokojnë procesin, do të duken që po tregojnë dobësi sepse po “lëshojnë pe” për të dytën herë pas rastit të raportit për verifikim të mandateve. Konstituimi i Kuvendit këtu duket se ka marrë prioritet më të ulët, dhe nuk po u bëhet vonë.

Duke e parë këtë situatë, Lëvizja Vetëvendosje i ofroi opozitës një mundësi për të dalë nga bllokada, pa e pasur barrën asnjëra parti se po “lëshon pe”.

Kjo mundësi është votimi i fshehtë.

Votimi i fshehtë është rekomanduar edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese si opsion për dalje nga situata të tilla. Po ashtu, një votim i tillë parashihet edhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Përmes votimit të fshehtë, deputetët e të gjitha partive, në mënyrë individuale dhe pa ekspozuar se nga cila parti vijnë, do të mund të votonin për Kryetaren e Kuvendit, duke i hapur rrugë konstituimit dhe nisjes së rrjedhjes së afateve kushtetuese për formimin e qeverisë së re.

Kësisoj, edhe do të zhbllokohej procesi, edhe askush nuk do të mund të akuzohej se lëshoi pe.