Votë pa entuziazëm, fitore pa triumf

E publikuar: 28/12/2025 20:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Emrush T.Shkodra

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve në një klimë politike që më shumë i ngjan lodhjes kolektive sesa mobilizimit qytetar. Nuk ka valë shprese, nuk ka frymë ndryshimi, por ka një përzierje të rrezikshme mes pakënaqësisë, frikës dhe mungesës së alternativës bindëse.

Qytetari sot nuk pyet më “kush është më i miri?”, por “kush është më pak i rrezikshëm?”.
Ky ndryshim psikologjik është thelbësor për të kuptuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Disponimi qytetar, pakënaqësi pa rebelim

Pakënaqësia ekziston dhe është reale. Rritja e çmimeve, mungesa e zhvillimit ekonomik, izolimi ndërkombëtar dhe një diskurs politik shpesh arrogant kanë krijuar distancë mes pushtetit dhe qytetarit.
Por kjo pakënaqësi nuk është shndërruar në revoltë politike, e as rebelim qytetar që mund të manifestohej nëpër rrugë, qysh ngjan edhe në shumë vende evropiane.

Arsyeja është e thjeshtë. Opozita nuk ka arritur të ndërtojë besim përballë një qeverie që ka humbur pjesë të kapitalit moral, opozita nuk ka ofruar një vizion më të besueshëm, nuk është hapur për kuadro të reja, profesionist dhe njerëz me ndikim.
Në këtë boshllëk, qytetari zgjedh status quo-në, jo sepse e do, por sepse nuk sheh alternativë më të sigurt.

Kush fiton zgjedhjet?

Vetëvendosje pritet t’i fitojë zgjedhjet, por jo me madhështinë e së kaluarës.
Fitorja e saj do të jetë numerike, jo morale. Ajo do të dalë e para jo sepse ka bindur më shumë, por sepse opozita dhe të tjerët nuk kanë bindur mjaftueshëm, dhe nuk kanë kaluar testin e besimit qytetar.

Ky është dallim thelbësor. Një fitore e tillë prodhon pushtet, por jo domosdoshmërisht autoritet politik afatgjatë.

Humbësit e heshtur

Opozita tradicionale PDK dhe LDK, do të mbijetojnë, por nuk do të ringjallet.
PDK vazhdon të vuajë nga hija e së kaluarës, ndërsa LDK nga mungesa e identitetit të qartë. Të dyja mbajnë elektoratin bazë, por nuk arrijnë të thithin votues të rinj apo të zhgënjyer.

Subjektet e vogla do të prodhojnë zëra, por jo ndikim real. Disa nga to nuk do të mund të kalojnë pragun zgjedhor. Ato janë më shumë simptomë e fragmentimit politik sesa zgjidhje.

Çfarë përfundojnë këto zgjedhje

Këto zgjedhje nuk do të sjellin ndryshim rrënjësor. Ato do të administronin krizën politike, jo ta zgjidhnin atë. Do të prodhojnë institucione funksionale në aspektin formal, por të dobëta në aspektin e besimit publik, do të kemi një tkurrje ekonomike, vazhdim të migrimit qytetar dhe humbje e besimit qytetar në institucione shtetërore.

Çfarë pritet pas zgjedhjeve

1. presion më i madh ndërkombëtar
2. qeverisje më pragmatike dhe më pak ideologjike
3. pakënaqësi sociale që vazhdon të rritet, por pa kanal politik të qartë
4. Mundësi e shprehjes së pakënaqësisë qytetare dhe manifestimit kërkimor në rrugë.

Kush meriton dhe kush duhet të kalojë në opozitë

Në një analizë të ndershme, politika kosovare ka pak figura që realisht meritojnë besim afatgjatë. Ata që flasin me fakte, që pranojnë gabimet dhe që kuptojnë shtetin si institucion jo si skenë, janë të rrallë dhe shpesh të margjinalizuar.

Nga ana tjetër, politika e konfliktit të përhershëm, arrogancës dhe improvizimit do të duhej të kalonte në opozitë.
Por demokracia kosovare ka një paradoks të hidhur. Elektorati nuk ndëshkon sjelljen, por frikën nga e panjohura dhe kthimin në të kalurën, edhe pse nuk e njohin të ardhmen dhe e besojnë atë.

Përfundim
Fituesi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve nuk është një parti, por status quo-ja.
Humbësi i vërtetë është shpresa për një ndryshim të shpejtë dhe të thellë. E ardhmja politike e Kosovës nuk varet vetëm nga rezultati i zgjedhjeve, por nga momenti kur politika do ta kuptojë se besimi nuk fitohet me retorikë, por me përgjegjësi.

Në fund, demokracia nuk dështon kur qytetari nuk ka kë të zgjedhë, por kur zgjedh vetëm për të mos humbur më keq.

*****************
Për: infosot