Votë gruaje

E publikuar: 16/10/2017 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E kodifikuar së voni si e drejtë themelore njerëzore edhe në disa shtete me demokraci të konsoliduar, vota e grave ende vazhdon të grishë kureshtjen e orientimit të saj, por edhe përdorimit si mekanizëm demokratik.

Në Zvicër, pas një përpjekje pothuajse një shekullore, gratë zvicerane, ndër të fundit në Evropë fituan këtë të drejtë më 1971.

Së fundi listët së shteteve të mbarë globit, të cilat lejojnë gratë të votojnë iu bashkua edhe vendi konservativ, i shquar për aplikimin e rregullave religjioze në jetën e përditshme, Arabi Saudite. Dy vjet më parë, grave iu lejua e drejta e votës. Mbreti Salman, nga ana tjetër ka mbështetur angazhimin e grave në punë, teksa ekspertët e kanë cilësuar veprim strategjik për qëllime afatgjata ekonomike në Lindjen e Mesme.

Në kontekstin kosovar, megjithëse kjo e drejtë nominalisht është e garantuar, vota e grave predominohet nga ajo e burrave qoftë edhe si një akt simbolik. Kjo për faktin e thjeshtë se politika kosovare ende ka fytyrë burrash. Kjo mund të argumentohet lehtë që prej instancave të larta shtetërore e deri te listat zgjedhore ku burrat dominojnë, fillimisht për shkak të avantazhit historik që ua ka krijuar sistemi, pastaj shkaku i kontekstit kulturor në të cilin funksionon shoqëria kosovare. Nuk ka gra që bëjnë karrierë në politikë, ngase ajo mbanë erë burrash! Kjo politikë, e cila mbrëmjeve zhvendoset nga institucionet në oda e kafene ku pihen tonelata rakie e ku prezenca e gruas është pothuajse blasfemi. Pra, kjo është politika kosovare! Në vend të bërjes së saj brenda institucioneve ajo zhvendoset, krijohet linjë paralele, e cila zakonisht mbanë në sipërfaqe burrat, jo shkaku i cilësisë sa nga shtresimi në ndërdije i maksimës primitive se ‘gratë janë për shtëpi’.

Edhe sot e kësaj dite dëgjohen zëra kritik ndaj prezencës së 30 për qindëshit në ligjet ekzistuese zgjedhore apo të tjera. Po të mos ishte garantuar ky prag minimal, sigurisht që skena politike kosovare do të dominohej tërësisht nga burrat, nëse kjo do të ishte varur nga gjentilenca e tyre. Porse, jo. Në fakt është ky 30 për qindësh që tashmë ka krijuar një bazë të mirë që përtej numrave të synohet cilësia dhe përfaqësimi i grave të mos mbetet peng i kuotës. Gjithsesi, ky rezultat çfarëdoqoftë ai nuk do të ishte arritur sikurse të mos kishte ekzistuar edhe një shumë votash e grave të cilat kanë votuar për një propozim si ky që një pjesë në pushtet t`i lihet në dispozicion grave, thjesht ngase burrat nuk lëshojnë vend në kushte reale. Kjo shpërfaqë më së miri peshën e votës. Më 22 tetor, sikurse edhe disa herë të tjera që nga paslufta gratë kosovare, sikurse edhe votuesit e tjerë do të ndodhen përballë dilemës për t`ia deponuar të drejtën për katër vjet tjera, dikujt që do të vendosë për to. Gjithsesi që nuk është zgjidhje e lehtë në gjeografinë politike kosovare, duke pas parasysh se janë provuar të gjitha opsionet. Ama, sido që të jetë, gratë duhet besojnë se secila vota e tyre ka një rol dhe atë jo dosido.

Kandidatët që po garojnë për kryetar komunash, shpesh po e përmendin se nga tepsia e pushtetit do të ta lënë një pjesë edhe për gratë. Prandaj, nisur nga ky premtim, gratë sërish do të jenë faktor në procesin që e pret vendin përpara.  

Kjo duhet të jetë shtytje që secila grua t`i qaset kutisë së votimit dhe ta mbajë përgjegjës kandidatin e rrumbullakuar për të gjitha zhvillimet në katërvjeçarin e ardhshëm. 

Gratë duhet të dalin e të votojnë, sepse fuqia e tyre derivon edhe nga vota. Në zgjedhjet e sivjetme parlamentare është shënuar prani e ulët e grave në fushatë. Në mesin e pjesëmarrësve, vetëm 17% janë gra që kanë marr pjesë në 655 aktivitete të monitoruara. Demokracia në Veprim, gjithashtu ka evidentuar përqindje të ulët të grave folëse në këto aktivitete. Sipas raportit të DnV-së, vetëm 18% e folëseve kanë qenë gra.

Dalja më e madhe e grave në votime për bën edhe ndërgjegjësim.  Statistikat e DnV-së në zgjedhjet lokale të vitit 2013, flasin për nivel të lartë të votimit familjar dhe ku të shumtën e rasteve, gratë shfrytëzohen si karrem për ta kryer këtë veprim të kundërligjshëm.

Është raportuar në 33.1% të vendvotimeve në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 2013 dhe 21.1% të vendvotimeve gjatë balotazhit kanë ndodhur votime familjare. Kjo është më e ulët se raportimi i Demokracisë në Veprim për zgjedhjet e përgjithshme 2010, por është ende shumë e lartë. Votimi familjar ndodhi në shumicën e rasteve kur një burrë apo një djalë votonte teksa po e kryente votimin një grua.

Pra, në asnjë mënyrë gratë nuk duhet të jenë mjete në duar të askujt, por subjekt vendimmarrës. E ky status arrihet pikërisht nëpëmrjet votës.

Përfaqësimi i grave nëpër komuna është në nivel skajshmërisht i vogël. Kjo duket edhe nga kandidaturat e partive politike për kryetare të komunave.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, janë 7 mijë gra që garojnë për vende në Kuvendet Komunale. Por, çuditërisht janë vetëm 7 gra në mesin e 200 burrave që synojnë postin e kryetareve të komunave.

Ngaqë shoqëria kosovare është  maskuliniste dhe zakonisht e prirur t`u kërkojë grave shërbime prej më të ndryshmeve, është mirë të bëj përjashtim. T`ua kërkojë grave votën, por edhe t`i inkurajoi që të votojnë, duke besuar fuqishëm që secila votë e tyre do të mundësojë që politika të marrë edhe pamje gruaje! Gra, më 22 tetor dilni te kutitë e votimit, sepse opsion tjetër nuk ka, përpos #MeVotë!