Vetëm një votë i duhet koalicionit qeverisës për ta miratuar në Kuvend Demarkacionin me Malin e Zi. Po bëhen përpjekje që një votë e tillë të sigurohet nga grupi i deputetëve të pavarur, të cilët u larguan nga lëvizja “Vetëvendosje”, apo nga deputetët e Listës Serbe. LDK-ja po bëhet gati që pas kalimit të Demarkacionit ta rrëzojë Qeverinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Koalicioni qeverisës është afruar një hap drejt ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit pasi që gjatë ditës së djeshme ka siguruar edhe një votë me rikthimin e deputetes Donika Kadaj-Bujupi në AAK.
Megjithatë, jogjithçka ka përfunduar deri më tash. Përkundrazi, për ta përmbyllur “aventurën” e Demarkacionit koalicionit qeverisës i nevojitet edhe një votë tjetër, meqë tashmë ka siguruar 79 sosh.
Analistët politikë nuk përjashtojnë mundësinë që vota finale të vijë nga deputetët e “pakënaqur” të lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë paraqitur kërkesën e tyre për ta formuar një grup të ri parlamentar, shkruan më tutje “Zëri”.
Në të njëjtën kohë ata thonë se edhe deputetët e Listës Serbe mund të bëhen ata që do ta mundësojnë përmbylljen e Marrëveshjes së Vjenës, ndonëse të dyja palët deri më tash kanë mohuar një opsion të tillë.
Në anën tjetër, LDK-ja ka paralajmëruar që pas votimit të Demarkacionit (tash, në pranverë), do të ngrejë mocion për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”.
Megjithatë, nga përfaqësuesit e partive në pushtet konsiderojnë se rrëzimi i Qeverisë është i pamundur./zeri.info/

















