Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, është pritur që të arrijë në orën 08:00 të mëngjesit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, mirëpo mjegulla që ka kapluar vendin tonë ka bërë që të vonohet ardhja e tij, raporton KTV.
Sipas gazetarit të Grupit KOHA, ardhja e tij është shtyrë për dy orë.
Ai ndërkaq do pritet nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha dhe ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Skender Durmishi.
Markoviq do të zhvillojë takime edhe me krerët e shtetit ku do të takohet me kryeministrin Ramush Haradinaj, ndërsa pas takimit, do të mbajnë një konferencë për media. Pas takimit me Haradinajn, kryeministri malazez do të takohet edhe me kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Kryeministri malazez këtë vizitë do ta zhvillojë në kohën kur liderët politikë janë duke shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një zgjidhje për shënjimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.