Ministri i Financave Agim Krasniqi, sot zhvilloi takim me përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Ruud Vermeulen.
Në këtë takim u diskutua për trendet e politikës fiskale dhe ekonomike si dhe për ekzekutimin e buxhetit të vitit 2017, transmeton Koha.net.
Ministri Krasniqi dhe z. Vermeulen ndanë shqetësimin e përbashkët se vonesa në konstituimin e institucioneve të reja po shkakton sfida në vazhdimin e reformave të nevojshme fiskale, përfshirë këtu edhe reformën e skemave përfituese të veteranëve të luftës.
Gjatë takimit, Ministri Krasniqi theksoi përkushtimin e Ministrisë së Financave për përmbushjen e obligimeve të Kosovës si anëtare e FMN-së për të mbarëvajtur stabilitetin makro-financiar. Në këtë drejtim, ai e siguroj përfaqësuesin e FMN-së se Ministria e Financave vazhdon të monitorojë ekzekutimin e shpenzimeve buxhetore në baza ditore për të mbarëvajtur nivelin e lartë të disiplinës fiskale.