Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e Transparency Internacional në Kosovë, sot ka publikuar studimin më të ri “Pritja për drejtësi” i cili rithekson nevojën për kushte më të mira në gjyqësi dhe të angazhojë më shumë juristë për të zvogëluar numrin e lëndëve në gjykata.
KDI ofron këshilla ligjore për dëshmitarë, viktima dhe sinjalizues të korrupsionit, i cili shërbim gjatë gjithë vitit ka pranuar raporte të ndryshme nga qytetarët në lidhje me sistemin e drejtësisë në vend, e në veçanti me kohën që ata duhet të presin derisa çështja e tyre të merr epilog përfundimtar para organeve të drejtësisë.
Nëse një palë, qoftë në procedurë civile, penale, administrative apo ekonomike nuk e merr drejtësinë në kohë të arsyeshme, atëherë detyrohet t’i drejtohet mënyrave të tjera zgjidhjes së çështjeve të tyre.
“Mënyrat e tjera nënkuptojnë rrugët joligjore si mitdhënia dhe favorizimi, që në vete përbëjnë korrupsion”, potencoi Florent Spahija këshilltar ligjor në KDI.
E gjetura tjetër nga raporti është kostoja ekonomike që u shkaktohet palëve por edhe vet shtetit nga vazhdimi i pafund i gjykimeve për çështjen e njëjtë. Palët në këto raste dalin dy herë të dëmtuara, njëherë si taksapagues, pastaj edhe si palë në procedurë.
Më tej, i njëjti shtoi se “sistemit të drejtësisë i duhen më shumë këshilltarë ligjorë dhe bashkëpunëtorë profesionalë në mënyrë që të zvogëlohet numri i lëndëve dhe që qytetarët të marrin drejtësinë”.
Përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Agim Maliqi tha se për shumë rekomandime që janë ngritur në raport kanë filluar aktivitete konkrete, është rritur numri i gjykatësve në gjykata themelore për të trajtuar lëndët e natyrave korruptive, ndërsa parashihet edhe trajnimi i tyre.
Sa i përket llogaridhënies ai potencoi se ka gjëra që duhet përmirësuar, ndërsa theksoi se ligji i ri parasheh masa ndëshkuese më ashpra. P.sh gjyqtarët tani mund të shkarkohen për shkak të mosperformancës.
Arton Demhasaj, drejtori i organizatës Çohu tha që dënimi me kusht për lëndët e korrupsionit është nxitje e korrupsionit, ndërsa masat ndëshkuese për lëndët e korrupsionit është e ulët dhe shqetësuese për parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai po ashtu vuri theksin te parashkrimi i lëndëve, si problem kryesor që vazhdon ta përcjellë punën e gjykatave.