Von der Leyen, Trumpit: Mos ndërhyni në politikën e Evropës

E publikuar: 12/12/2025 12:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Donald Trump nuk duhet të ndërhyjë në demokracinë evropiane, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur kritikave të ashpra që presidenti amerikan i ka bërë Evropës ditët e fundit.

Deklarata e saj erdhi pas publikimit të Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, e cila shkaktoi trazira në Bruksel, shkruan Politico.

Von der Leyen theksoi se vendimi për udhëheqjen e një vendi u përket ekskluzivisht qytetarëve të tij. “Nuk varet nga ne, kur bëhet fjalë për zgjedhje, të vendosim se kush do të jetë udhëheqësi i vendit, por nga populli i atij vendi… Ky është sovraniteti i votuesve dhe ai duhet të mbrohet”, tha ajo.

“Askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë, nuk ka dyshim për këtë”, shtoi ajo, duke komentuar drejtpërdrejt strategjinë kontraverse të SHBA-së të publikuar javën e kaluar.

Strategjia e re e SHBA-së përmban teza që kanë hasur në miratim nga e djathta ekstreme në Evropë, siç është kryeministri hungarez Viktor Orbán, por edhe nga Rusia. Dokumenti pretendon se Evropa përballet me një “vdekje qytetëruese” në 20 vitet e ardhshme. Gjithashtu kritikon përpjekjet evropiane për të shtypur partitë e ekstremit të djathtë, duke i quajtur ato censurë politike, dhe flet hapur për “nxitje të rezistencës ndaj trajektores aktuale evropiane brenda kombeve evropiane”.

Von der Leyen theksoi se pikërisht për shkak të kërcënimeve të tilla BE propozoi një paketë masash të njohur si Mburoja e Demokracisë, e cila synon të forcojë luftën kundër ndërhyrjeve të huaja në internet, veçanërisht gjatë zgjedhjeve.

Edhe pse deklaroi se gjithmonë ka pasur një “marrëdhënie shumë të mirë pune” me presidentët amerikanë, përfshirë atë aktual, Presidentja e Komisionit tha se Evropa duhet të kthehet nga vetja. “Unë jam një transatlantike e bindur nga thellësia e zemrës sime. Por çfarë është kaq e rëndësishme? Është e rëndësishme që ne… të jemi krenarë që jemi Bashkimi Evropian, që të shohim pikat tona të forta dhe që të merremi me sfidat që kemi”, tha ajo.

“Sigurisht, marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar. Pse? Sepse ne po ndryshojmë. Dhe është kaq e rëndësishme të mbajmë mend: ku është pozicioni ynë? Cila është forca jonë? Po punojmë për këtë. Le të jemi krenarë për të. Le të mbrojmë një Evropë të bashkuar. Kjo është detyra jonë… të shohim veten dhe të jemi krenarë për veten tonë”, përfundoi von der Leyen me duartrokitje nga publiku.

Reagimi nga Brukseli vjen pasi presidenti amerikan e përshkroi Evropën në një intervistë me Politico si një grup kombesh “të dështuara” të udhëhequra nga njerëz “të dobët”. “Mendoj se ata janë të dobët”, tha Trump për presidentët dhe kryeministrat evropianë, duke shtuar: “Nuk mendoj se ata dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë”.

Ironikisht, ishte Politico që kohët e fundit e quajti Donald Trump personin më të fuqishëm që formëson politikën evropiane, duke e vendosur atë në krye të listës së saj vjetore që rendit individët me ndikimin më të madh në drejtimin e Evropës në vitin e ardhshëm.