Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që nga takimi i fundit në Bruksel ka shprehur gatishmërinë e tij për të nënshkruar propozimin franko-gjerman. Megjithatë të njëjtën gjë s’ka pasur gatishmëri që ta bëjë presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic. Nga BE kanë deklaraur se s’ishte planifikuar nënshkrim dhe se për të arritur deri tek firmosja duhet që palët të pajtohen edhe për Aneksin e Implementimit, raporton Gazeta Express.
Kurti të njëjtin qëndrim e ka edhe për takimin e 18 marsit që do të mbahet në Ohër, ku shprehet i gatshëm për nënshkrim, derisa presidenti serb ka vazhduar me deklarimet e tij se s’do të lejojë hyrjen e Kosovës në OKB dhe që s’do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia.
Megjithatë pritjet nga komuniteti ndërkombëtar për këtë takim të nivelit të lartë janë të mëdha. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë edhe në takimin e të premtes në mes të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, shkruan Express.
Der Leyen pas takimit që ka pasur me Joe Biden ka theksuar se edhe Brukseli edhe Washingtoni e përkrahin plotësisht procesin e negociatave
E pyetur për propozimin franko-gjerman, politikania gjermane ka thënë se tashmë palët e kanë atë propozim në tavolinë bashkë me udhërrëfyesin e si duhet të implementohet dhe se presin që Kosova dhe Serbia të tregohen konstruktive në këtë proces.
“Propozimi është tashmë në tryezë dhe ka një udhërrëfyes se si të arrijmë atje. Ne presim që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive,” ka thënë von Der Leyen para gazetarëve