Von Cramon: Vendimi për Manastirin, hap i domosdoshëm lidhur me sundimin e ligjit

E publikuar: 13/03/2024 22:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dhënien e pronave prej 24 hektarësh Manastirit të Deçanit.

Në një postim në platformën X, Von Cramon ka theksuar se sundimi i ligjit është thelbësor për një shoqëri evropiane funksionale.

“Kam kërkuar vazhdimisht nga të gjitha qeveritë e Kosovës në 4-5 vitet e fundit që të veprojnë për këtë pasi është hap i domosdoshëm në lidhje me sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar tutje ajo në platformën X.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 13 mars se kërkesa drejtuar Agjencisë Kadastrale është bërë pasi zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.