Von Cramon
Eurodeputetja Viola von Cramon ka thënë në një intervistë për T7 se procesi i liberalizimit të vizave ka përfunduar dhe se tani asgjë nuk mund ta zvarrisë më këtë proces. Ajo po ashtu ka thënë se të gjitha qeveritë e Kosovës kanë meritë në këtë proces dhe se ajo nuk e sheh veten si meritore pasi që i gjithë Parlamenti Europian ka qenë gjithnjë për liberalizim të vizave për kosovarët, por që procesi është stagnuar për shkak të skepticizmit të disa prej anëtarëve të BE-së.
“Nuk ka ndodhur për shkak të insistimit tim apo përkushtimit tim por është sepse vendi juaj i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka bërë gjithçka të nevojshme që më në fund të marr dritën jeshile”, tha ajo.
“Nuk ka qenë asnjëherë problem në Parlament e as në Komisionin Evropian, por Këshilli Evropian dhe disa përfaqësues të shteteve kanë qenë skeptik. Ne tentuam që të flasim me ata në mënyrë që të ndryshojnë qëndrim dhe të shtyjnë procesin në drejtimin e duhur dhe më në fund pamë rezultatin që dëshiruam. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka mund të ndodh më herët pasi që populli juaj e meriton, por fatkeqësisht mori disa vite që të finalizohet ky proces”, shtoi Von Cramon.
Ajo thotë se është ndjerë mirë dhe se tani është koha që qytetarët e Kosovës të merren me gjëra tjera më të rëndësishme.
“Unë jam ndjerë mirë, megjithatë është një ditë akoma më e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë pritur aq gjatë. Është mirë që kjo ka përfunduar pasi tashmë mund të merremi me çështje të tjera që janë po aq të rëndësishme”, shtoi Von Cramon.
Në fund ajo tha se kishte akterë të ndryshëm në historinë e Kosovës që punuan për liberalizim dhe se merita nuk është e një qeverie të caktuar, por për të gjithë ata që kanë marrë pjesë për vite me radhë në ktë proces.
“Kuptohet që Bashkimi Evropian nuk ka aq shumë merita. Me shumë mundësi arritja erdhi nga Qeveri të ndryshme, nga akterë të ndryshëm politik të cilët punuan dhe u siguruan që të gjitha kriteret të përmbushen. Kështu që nuk do ti jepja merita vetëm për një Qeveri të caktuar, por për të gjithë ata që kanë marrë pjesë”, tha ajo.
“Nuk ka ndonjë gjë që mund të zvarrisë procesin, tani është çdo gjë e përfunduar”, përfundoi Von Cramon. /Express