Nga Tirana në Prishtinë, festa kuqezi në një të ardhme të afërt pritet të zvhvendoset në kryeqytetin e Kosovës, aty ku heronjtë e kombëtares ftohen për të zhvilluar një miqësore festive me rastin e kualifikimit në Europianin Francë 2016. Ky është propozimi që presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i bën homologut të tij Armando Duka.
“Pse jo edhe me ndonjë ndeshje miqësore në një të ardhme shumë të afërt, ku publiku në Kosovë do të mund t’i përshëndeste heronjtë tanë, të cilët me mundin dhe djersën e tyre arritën suksesin më të ëndërruar për të shkuar në kampionatin Europian të Francës. Tani ekziston një tjetër klimë dhe mendoj se, edhe presidenti Duka sigurisht që do të na e plotësonte këtë dëshirë.”
Gjithsesi, para se të fiksohet një datë për një miqësore të shpejtë mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi duhen marrë në konsideratë edhe rrethanat, Vokrri gjeti rastin për të ftuar për një vizitë në shtetin më të ri europian Presidentin e FSHF-së, Armando Duka bashkë me trajnerin e kuqezinjve Gianni de Biasi.
“Me presidentin Duka kemi biseduar edhe pas ndeshjes, qysh mbrëmjen e së Dielës, dhe mendojmë që ta ftojmë në një vizitë, ndoshta së bashku me De Biasin. Në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë diskutuam këtë mundësi, duke marrë parasysh se lojtarët, sigurisht që duhet të kthehen dhe ndër të tjera kanë edhe detyrimet e tyre profesionale me klubet e tyre respektive.”
Duke komentuar kualifikim historik në sfidën e fundit në Grup ndaj Armenisë, Vokrri kujtoi se nuk ishte e lehtë të gjejë forcën për të raguar pas humbjes së dhimbshme me Serbinë.
“Ata gjetën forcë, që të bëjnë kthesën pas 3 ditësh dhe të shënojnë një fitore historike, të cilën asnjëherë nuk e kishim shijuar që prej formimit të shtetit shqiptar. Më në fund u arrit edhe ajo dëshirë e kahmotshme e shumë brezave dhe shumë gjeneratave, si të futbollistëve, ashtu edhe të drejtuesve. Më në fund edhe ne do ta shijojmë kampionatin Europian në Francë.”
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri u shpreh optimist se edhe në Francë kombëtarja Shqiptare do të lërë gjurmë, pasi i ka cilësitë për t’u përballur me dinjetet me përfaqësueset më të mira europiane.