Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, thotë se SHBA-ja do marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallë misionin e përfunduar dhe të tërheqë trupat nga Kosova.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se administrata Trump dhe presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë protagonistët kryesorë që mbështesin shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.
Vogel thotë se Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në largim, Albin Kurti, do ta ketë të vështirë të bindë SHBA-në dhe BE-në se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm për të.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Vogel, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Qeveria e re e Kosovës mund të formohet pa zgjedhje, por kryeministri në largim, Albin Kurti, ka thënë se ky vendim është i papranueshëm. Ku çon kjo situatë?
Toby Vogel: Para së gjithash nuk dua të komentoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese sepse nuk jam ekspert i kushtetutës. Jo domosdoshmërisht i kuptoj të gjitha ndërlikimet ligjore këtu. Por, ajo që mund të them është se kur qytetarët e Kosovës kanë dalë në zgjedhje vitin e kaluar, ata kanë votuar Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, bazuar në pritjet se ato do të formojnë qeverinë nëse zgjidhen.
Tani LDK-ja ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja [e koalicionit] dhe në aspektin e legjitimitetit politik, situata e krijuar kërkon zgjedhje të reja. Ky është këndvështrimi im personal dhe jo një analizë ligjore, jo një analizë kushtetuese.
Unë e kuptoj që Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Kurti, nuk e pranojnë këtë vendim, në kuptimin politik. Megjithatë, mendoj se do ta kenë shumë të vështirë për ta bindur Bashkimin Evropian dhe sidomos Shtetet e Bashkuara për pikëpamjet e tyre. SHBA-ja, në fakt, ka ndihmuar për ta bindur LDK-në që të largohet nga koalicioni qeverisës me kryeministër Kurtin, për arsyet e veta. Dhe tani, BE-ja dhe SHBA-ja bëjnë thirrje për përmbajtje, për respektimin e vendimit [të Gjykatës Kushtetuese].
Radio Evropa e Lirë: Por, shumë kanë thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë një precedent i rrezikshëm – e margjinalizon fituesin e zgjedhjeve dhe hap rrugë për manovrim politik në të ardhmen midis partive politike që mund të mos i fitojnë zgjedhjet…
Toby Vogel: Me sa e kuptoj unë vendimin, ai thotë se partia më e madhe, partia me numrin më të madh të ulëseve [në Parlament] ka shansin e parë për të formuar qeverinë. Dhe, nëse ajo, për çfarëdo arsyeje, nuk mund të formojë ose nuk mund të mbajë shumicën në parlament, atëherë presidenti mund të caktojë dikë tjetër për të formuar qeverinë. Kështu e kuptoj unë vendimin. Gjithçka tjetër do ta lejonte Vetëvendosjen të mbante peng gjithë procesin, duke mos emëruar një kandidat alternativ për kryeministër. E përsëris, nuk jam ekspert i Kushtetutës, por unë kështu e kuptoj vendimin dhe realitetin ligjor dhe politik pas tij.
Radio Evropa e Lirë: Një nga detyrat më urgjente të Kosovës është vazhdimi i dialogut me Serbinë, i cili është pezulluar në fund të vitit 2018. Kur dhe në cilat kushte mund të rifillojë ky proces?
Toby Vogel: Unë do ta përjashtoja idenë se dialogu është çështja më urgjente, sepse ky dialog ka vazhduar e është ndërprerë për gati një dekadë tashmë. Nuk mendoj se një muaj më herët ose një muaj më vonë është problem i madh. Urgjenca vjen nga pala amerikane. Amerikanët duan marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallin misionin të përfunduar dhe të tërheqin trupat nga Kosova.
Kjo do të ishte një fitore në politikën e jashtme për presidentin [amerikan, Donald] Trump. Do të ishte justifikim personal për Richard Grenellin [të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi], i cili duket se është përfshirë tani në fushatën për rizgjedhjen e Trumpit. Kjo është ajo që vërtet qëndron pas ndjenjës së urgjencës.
Unë e kuptoj përse Kosova e ndjen këtë si urgjente, sepse ajo është e bllokuar, nuk ka pasur shanse për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk ka mundur të bëhet pjesë e agjencive të OKB-së, ka edhe një fushatë të çnjohjeve nga Serbia.
Aspekti tjetër është ai se kush do ta përfaqësojë Kosovën në dialog: presidenti sikurse deri më tash, apo kryeministri. Por, mendoj se gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar tani është se shtytja e presidentit [të Kosovës, Hashim] Thaçi, për shkëmbim territoresh me Serbinë nuk është duke çuar vërtet askund. Të vetmit njerëz që mendojnë se kjo është një ide e mirë janë amerikanët dhe, deri së voni, edhe evropianët.
Por, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur qartë, duke thënë se kjo do të ishte një ide e keqe. Mendoj se presidenti Thaçi e kupton shumë mirë se ai është i izoluar, brenda vendit të tij, sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve dhe se marrëveshja e tillë nuk do të zbatohej.
Radio Evropa e Lirë: Thaçi insiston se SHBA-ja duhet ta ketë rolin kryesor në dialog dhe ju sapo thatë se SHBA-ja e mbështet shkëmbimin e territoreve. Pra, a pritet që kjo çështje të jetë në tryezë?
Toby Vogel: Mendoj se protagonistët kryesorë në favor të shkëmbimit të territoreve për momentin janë presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, presidenti Thaçi dhe administrata Trump. Nëse kjo do të bëhet pjesë e negociatave diplomatike ose jo, mbetet të shihet. Varet nga forma se si zhvillohen këto bisedime. Disa vite janë humbur në dialog. Në dy vjetët e fundit ka pasur bisedime joproduktive për shkëmbimin e territoreve, që do të ishte në kundërshtim me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe shumë destabilizues për Ballkanin.
Tani shoh një lloj urgjence në anën e BE-së për t’iu rikthyer parimeve fundamentale që kanë shoqëruar dialogun kur ka filluar, gati dhjetë vjet më parë.
Radio Evropa e Lirë: Duket se ka pak bashkëpunim midis dy të dërguarve në dialog, atij amerikan, Richard Grenell, dhe atij evropian, Mirosllav Lajçak. A shihni ndonjë problem këtu, sepse edhe presidenti Thaçi ka thënë se nuk do të marrë pjesë në negociata me Lajçakun…
Toby Vogel: Presidenti Thaçi nuk supozohet të marrë pjesë në bisedime me Lajçakun, sepse është kryeministri i Kosovës ai që duhet të ngarkohet me dialogun. Ju e kujtoni se kur ka nisur dialogu, ka nisur me kryeministrat e të dyja palëve. Dhe kur ata kanë marrë funksione të tjera – të presidentit – dialogu ka kaluar tek ata. Pra, nuk ka pasur kurrë një aryse institucionale prapa kësaj. Ka pasur gjithmonë të bëjë me pushtetin personal.
Sa i përket rolit të SHBA-së, ai ka qenë një veprim jomiqësor. Një akt bulizmi i administratës Trump, jo vetëm ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila në fund të fundit është konstituar siç duhet pas zgjedhjeve, por edhe ndaj evropianëve. Është bërë në mënyrë publike, në përpjekje për të margjinalizuar BE-në dhe për të margjinalizuar Kurtin. Ka qenë një veprim mjaft agresiv, sepse ka ndodhur publikisht. Ka gjithmonë gjëra të caktuara që ndodhin prapa skenës. Mund të mos ketë gjithmonë unitet midis BE-së dhe SHBA-së, por të shohesh aq mosmarrëveshje publike… unë mendoj se është një përpjekje e SHBA-së për të marrë kontrollin e procesit.
Radio Evropa e Lirë: Serbia po ashtu përballet me zgjedhje së shpejti. Deri më tash nuk ka asnjë shenjë nga pala serbe se mund të ketë ndryshuar qëndrim në lidhje me Kosovën. Duke i pasur parasysh të gjitha këto zhvillime, cilat janë shpresat që dialogu të sjellë rezultate?
Toby Vogel: Unë nuk pres – dhe nuk jam i vetmi – shumë ndryshime në Serbi. Opozita në Serbi është e dobët dhe e përçarë. Këto zgjedhje janë pothuajse një formalitet që duhet të kryhet përpara se të rinisë dialogu.
Unë nuk e di se cila është faza e fundit e lojës së Vuçiqit dhe nuk e di se çfarë është duke bërë për të përgatitur skenën politike dhe opinionin publik për përfundimin e pashmangshëm të këtij dialogu, që do të jetë njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës. Kosova ka qenë jashtë kontrollt të Serbisë tash e 20 vjet. Nuk mendoj se ndonjë vëzhgues i arsyeshëm ka iluzione se Kosova do të kthehet nën sovranitetin e Serbisë. Mendoj se është koha që Serbia ta pranojë këtë fakt dhe ta pranojë realitetin në terren.