VMRO-DPMNE është kundër dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, ka bërë të ditur sot deputeti i kësaj partie dhe shef i shtabit propagandistik partiak Ilija Dimovski.
Kështu, VMRO-ja edhe një herë “harroi” se, si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit (MO) pas luftës më 2001 dhe me Kushtetutën e Maqedonisë, shqipja është gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni.
Ilija Dimovski, shefi i propagandës i VMRO-së së Gruevskit
“Barazimi i gjuhës maqedonase dhe shqipe në tërë territorin është absolutisht e papranueshme për VMRO-DPMNE-në. Me paralajmërimet për vendosjen e dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë sulmohet Kushtetua dhe rendi kushtetues i këtij shteti, plotësisht dilet jashtë Kushtetutës dhe të drejtat e garantuara për bashkësitë etnike dhe për fat të keq fillon proces të cilin askush nuk e dine nëse do të përfundoj me federalizim ose ndarje të Maqedonisë”, ka thënë Dimovski.
Në fakt, kjo është një përgjigje e partisë nacionaliste ndaj angazhimit të liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili tha se shqiptarët duhet të gëzojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre në tërë vendin, si dhe se s’është keq edhe për maqedonasit sikur të nisin të mësojnë shqip.
Me këtë VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, vazhdon retorikën nacionaliste si para çdo procesi zgjedhor, kur nxit ndjenjat raciste të elektoratit të vet, duke potencuar “rrezikun nga shqiptarizimi dhe federalizimi i vendit”. Përveç Kushtetutës dhe MO-së, gjatë kësaj harrohet se partner dhe përkrahës kryesor në realizimin e projekteve nacionaliste, siç është “Shkupi 2014”, për të cilat shumëkush konsideron se janë me qëllim plaçkitjeje të mjeteve të buxhetit, Gruevski gjatë dekadës së kaluar ka pasur partinë shqiptare, BDI-në e Ali Ahmetit./GazetaExpress/