Vlora Çitaku: Fushatat e Serbisë nuk e ndalin Kosovën

E publikuar: 19/11/2015 23:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vlora Çitaku ambasadorja e Kosovës në Amerikë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ku po diskutohet për raportin tremujor për Kosovën ka thënë se ndonëse debati politikë në Kosovë nga një herë është i rreptë ata të gjithë janë të bashkuar për integrimet euroatlantike.

“Kjo është parë edhe kur është nënshkruar marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, është paguar përkushtimi dhe puna jonë nga BE”, ka thënë Çitaku në OKB.

“Kjo marrëveshje do të hap rrugën tonë për integrime evropiane si dhe do të stimulojë rritjen ekonomike”.

“E ardhmja jonë është e pakthyeshme”, njofton Klan Kosova.

Çitaku ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

“Ne i kemi përmbushur kriteret dhe tash BE duhet ta mbajë premtimin”.

“Kosova deri më tash është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare por ne do të vazhdojmë edhe përkundër pengesave dhe do t’ia dalim”.

Çitaku po ashtu ka thënë se Kosova, asnjë herë nuk do të diskutoj me Serbinë për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke i’a bërë të ditur ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Çitaku në Këshillin e Sigurimit ka folur edhe për mospranimin e Kosovës në UNESCO, duke thënë se Kosova ka lobuar me rinin dhe kulturën, ndërsa kanë hasur në një kundërfushatë me tregime pavërteta, raciste dhe plotë urrejtje kundër Kosovës nga udhëheqës në Serbi, njofton Klan Kosova.

Ndërsa Çitaku në mbledhje ia ka thënë Daçiqit se shteti i tij nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të nderuar zotërinj, vetëm gjatë ditës së djeshme ministri i Financave Avdullah Hoti, nuk mundi të shkoj në veri të Mitrovicës pasi që u pengua nga strukturat paralele serbe, pavarësisht faktit se kjo ka qenë edhe pjesë e dialogut. Pra Serbia akoma nuk i ka shpërbërë strukturat e saj paralele serbe në veri të Kosovës”.