Vllasi: Serbia po e përdorë “Shqipërinë e madhe” për të destabilizuar rajonin

E publikuar: 20/05/2017 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deklaratat e zyrtarëve serbë mbi të ashtuquajturën Shqipëri e madhe po përdoren për t’i prezantuar Kosovën dhe Shqipërinë si faktorë destabilizues në rajon. Kështu ka deklaruar, siç e prezantojnë mediet e Beogradit, këshilltari i presidentit të Kosovës dhe politikani i dikurshëm jugosllav, Azem Vllasi.
Ai ka shtuar se në skenë po kthehet politika nga koha e Sllobodan Millosheviqit, transmeton Koha.net.

“Propaganda nga Beogradi dhe një qëndrim i tillë i autoriteteve zyrtare serbe kundruall Kosovës dhe njerëzve nga Kosova mban të ndezur atmosferën e tensionuar dhe ndjenjën e pakëndshme në komunikimin ndërmjet Serbisë e Kosovës”, deklaroi Vllasi në televizionin serb N1.

Vllasi ka thënë se nuk i sheh si provokim deklaratat mbi Shqipërinë e madhe të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe liderit aktual të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinjat, të cilat kanë “më shumë dimensione komike se tragjike”, ndërsa ka shtuar se “pasoja më të mëdha për marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës dhe gjendjen në rajon mund të kenë deklaratat e kryeministrit dhe të zyrtarëve të tjerë të Serbisë, sesa deklarata e Haradinajt, i cili është lider i një partie opozitare.

më pëlqen të komentoj deklaratat e kujtdo qoftë, por deklaratat sipas të cilave Haradinaj po provokon Serbinë dhe destabilizon gjendjen në rajon nëse thotë Serbia të na lërë të qetë dhe të shikojmë punët tona, nuk e kuptoj çfarë provokimi është”, ka thënë Vllasi, duke shtuar se janë “komike” deklaratat se Haradinaj ka thënë se do të pushtojë një të tretën e territorit të Serbisë.

Vllasi ka shtuar se në fjalorin e zyrtarëve të Shqipërisë e të Kosovës asnjëherë nuk do ta dëgjoni shprehjen “Shqipëri e madhe”, transmeton Koha.net raportimin e medieve serbe.

“Secili e ka të qartë se autoritetet serbe përdorin këtë retorikë për t’i paraqitur Kosovën e Shqipërinë si faktorë destabilizues”. Provokimet me Shqipërinë e madhe janë qesharake, nuk duam ta kthejmë kundër nesh Europën e botën”, është shprehur Vllasi, dhe ka shtuar se shqiptarët në Maqedoni janë akomoduar dhe se kërkojnë vendin e vet në jetën politike të Maqedonisë.

Një propagandë e tillë, ka thënë Vllasi, në fakt është përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga ajo se Serbia “me gjithë fjalorin zyrtar se është faktor stabiliteti, është faktori i vetëm i destabilizimit”

“Serbia nuk është fajtore për asgjë, fajtorë janë qytetarët e Bosnjës, kroatët, shqiptarët. Atëherë na akuzonin se po e rrënojmë Jugosllavinë, tash se po bëjmë Shqipërinë e madhe”, është shprehur Vllasio, transmeton Koha.net.

Vllasi thotë se pas periudhës së 5 tetorit 2000 që kur “së paku në mënyrë të heshtur është e pranishme koha e regjimit të Milloshevioqit”, tash çdo gjë është si në kohën e tij, përfshirë edhe përpjekjet për t’ia hedhur fajin tjetrit.

“Të gjithë e shohin dhe për njerëzit me mendje të shëndoshë është e qartë se është në veprim kthimi në skenë i politikës nga koha e regjimit të Millosheviqit, porse rreziqe nga lufta nuk ka. Serbia s’mund të vërsulet mbi askënd ashtu si në vitet 1998 e 1999 mbi Kosovën”, ka thënë Vllasi.