Vllasi: Marrëveshja e Brukselit shkel Kushtetutën

E publikuar: 21/11/2015 08:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti politik, Azem Vllasi, ka vlerësuar se është e mundur të gjendet zgjidhja për protestat e opozitës në Prishtinë, si dhe për krizën politike në Kuvendin e Kosovës nëse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tërheq nënshkrimin e vet nga marrëveshja e Brukselit, dhe atë marrëveshje e shkrin në një “vendim vendor” të Kuvendit apo të Qeverisë së Kosovës.

Vllasi, i cili është jurist dhe në Prishtinë punon si avokat, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Beta se këtu ai para së gjithash e ka fjalën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, në atë vendim të Qeverisë apo të Kuvendit të Kosovës nuk do të ndryshohej esenca e Marrëveshjes së Brukselit, por do t’i ndryshohej vetëm emërtimi – në vend se të jetë marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë, ajo do të ishte vendim i Qeverisë apo i Kuvendit të Kosovës.

Vllasi më tutje vlerësoi se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.