Presidentja Vjosa Osmani ishte mbrëmë në natën muzikore kushtuar 50 vjetorit të karrierës së këngëtares Shkurte Fejza.
Sot, ajo ka ndarë disa fotografi në Facebook, duke shkruar se këngët e Shkurte Fejzës janë “himnet tona të përbotshme”.
“Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare. “Xhamadani vija-vija” dhe “Mora fjalë”, janë himnet tona të përbotshme, të përjetësuara nga zëri magjik i të madhes sonë. Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës. U shndërrua në zërin e lirisë!”, shkroi Osmani, duke shtuar edhe një urim për këngëtaren: “Urime për 50 vite të arta Shkurte Fejza! Të këndoftë zemra përgjithmonë!”.