Vjosa Osmani kujton suksesin e Aziz Salihut dhe të Majlinda Kelmendit në Ditën Olimpike

E publikuar: 23/06/2020 20:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sukseset olimpike të ish-boksierit Aziz Salihu dhe të xhudistes Majlinda Kelmendi, në Ditën Olmpike, shkruan “Zeri.info”.

Salihu kishte fituar medaljen e bronztë në Olimpiadën e vitit 1984, kurse Kelmendi kishte rrëmbyer të artën në 2016-n.

“Sot, në Ditën Olimpike kujtojmë rolin e jashtëzakonshëm të sportistëve tanë dhe punëtorëve sportivë në ngritjen lart të emrit të Kosovës, nga ish-fituesi i medaljes së parë olimpike, boksieri Aziz Salihu, i cili në Olimpiadën e vitit 1984, në Los Anxheles e fitoi medaljen e bronztë, e deri te ajo që flamurin e Kosovës e lartësoi në piedestal, duke e fituar të parën medalje të artë olimpike për shtetin e pavarur të Kosovës, madje në më të parën olimpiadë në të cilën Kosova mori pjesë si shtet i pavarur”, ka shkruar Osmani në rrjetin social “Facebook”.

“Majlinda përloti çdo njeri sportdashës, por preku edhe zemrat e çdo njeriu paqedashës e liridashës. Ajo tregoi se ky vend i vogël, në të cilin jetojnë njerëz me zemër të madhe, mund t’i japë njerëzimit vlera të pakontestueshme në sport, kulturë e shkencë. Sot, Kosova ka pesë norma olimpike në xhudo dhe një në mundje dhe mund të ketë edhe të tjera deri në lojërat e ardhshme olimpike. E përgëzojmë Komitetin Olimpik të Kosovës për këto të arritura, sikur edhe secilin punëtor sportiv, si dhe federatat e sportit, të cilat po e mbajnë gjallë frymën olimpike dhe u urojmë shumë suksese!”, ka shtuar më tej ajo./Zëri