Kuvendi i sotëm zgjedhor në LDK u manifestua me parregullsi të shumta, ku kandidatët u votuan me aklamacion (votim me ngritje dore), duke bërë që Vjosa Osmani të eliminohet automatikisht përmes kësaj metode.
Deputetja në Kuvendin e Kosovës, dhe kandidatja e sotme në zgjedhjet e brendshme në LDK për kryetar të partisë më të vjetër në vend, Vjosa Osmani për Indeksonline thotë se ajo nuk do të ndal angazhimin e saj në LDK, dhe se ky angazhim në asnjë mënyrë nuk lidhet me pozita.
“Angazhimi im në LDK, nuk është i lidhur me pozita asnjëherë. Do të vazhdoj t’i mbes besnike anëtarësisë së LDK-së”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, në anën tjetër Osmani ka thënë se të ardhmen e saj nuk e determinojnë qarqe të ngushta interesi, duke akuzuar rëndë një pjesë të lidershipit të LDK-së, të cilët ajo thotë se po i bëjnë shërbime PDK-së.
“Të ardhmen time politike nuk e determinojnë qarqe të ngushta interesi që i bëjnë shëbime PDK-së, por do ta determinoj anëtarësia e LDK-së”, ka thënë ajo në fund.