Hashim Thaçi nuk do ta ketë të lehtë në përpjekjen e tij për t’u ngjitur shkallëve të Presidencës. Vjosa Osmani, deputete e partisë në koalicion qeveritar, LDK, do të udhëheqë përpjekjet për të pamundësuar zgjedhjen e kryetarit të PDK-së si President shteti.
“Hashim Thaçi nuk bën të bëhet president pasi që e ka rrënuar imazhin e Kosovës. Ne nuk do ta pranojmë atë. Do ta bllokojmë zgjedhjen e tij për president, nëse asgjë tjetër duke pamundësuar kuorumin”, ka thënë Osmani për Interaktiv në KTV.
Në fakt, ajo tha se grupi i deputetëve të pakënaqur në LDK në bashkëpunim me opozitën do të ofrojnë një kundërkandidat për Thaçin dhe janë duke e menduar ende se kush mund të jetë ai.