Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka dënuar sulmet mbi selitë e saj në disa qytete të Kosovës. Thotë se këto janë vepra të njerëzve që e duan vendin në kaos e anarki.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmet vandale mbi selinë qendrore të LDK-së në Prishtinë, zyrat e LDK’së në Gjakovë, Istog dhe në Kodër të Trimave, të kryera gjatë natës së sotme nga persona tash për tash të panjohur për organet e rendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron këto akte të dhunshme vepër të njerëzve të cilët po përpiqen me çdo kusht dhe çdo mjet të zhysin vendin në kaos dhe anarki, duke sulmuar me molotovë institucione publike, prona private, duke djegur makina të familjarëve të përfaqësuesve institucionalë dhe tashmë duke sulmuar edhe selitë e partive shtetformuese.
Ky sulm mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës është i drejtuar mbi parimet dhe veprimtarinë institucionaliste si dhe vlerat demokratike perëndimore, të cilat tash e 25 vjet përfaqësohen pa asnjë kompromis nga LDK’ja.
Lidhja Demokratike Kosovës i bën thirrje eksponentëve politikë të partive opozitare, të cilët tash e sa ditë po fyejnë, denigrojnë dhe linçojnë figura të respektuara dhe deputetë të LDK-së, që të ndalin diskursin ofendues dhe nxitjen e dhunës e të veprimeve kriminale.
Lidhja Demokratike e Kosovës fton organet kompetente, që në përputhje të plotë me ligjet, të ndriçojnë këto akte të ulëta banditeske dhe të nxjerrin para drejtësisë kryesit e tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të palëkundur për të vazhduar, pa marrë parasysh sfidat, rrugën e trasuar nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke mos u ndalur para presioneve të njerëzve, grupeve parapolitike dhe subjekteve që mbajnë maska dhe molotovë nëpër selitë e tyre partiake dhe të cilët dëshirojnë të zhysin vendin në kaos dhe anarki.
Lidhja Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin saj për angazhim maksimal në realizimin e objektivave nacionale të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, për zhvillim ekonomik dhe integrime euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike.”, thuhet në komunikatën e LDK’së.