
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk gjeti bazë për anulimin e votave të mërgatës, siç kërkoi Vetëvendosja, që e akuzonte LDK-në për manipulim.
LDK-ja ka falënderuar mërgatën, duke paralajmëruar se do të ndjekin rrugët ligjore, për të gjithë ata që provojnë të dëmtojnë procesin, shkruan InfoSot.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin PZAP-së i cili konfirmon se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe shpërfaqin mosgatishmërinë e tyre për të pranuar vullnetin e mërgatës sonë. Ky akt e dëshmon qartë se pretendimet e tyre ishin thjesht një përpjekje për të mbrojtur organizimin e vetëm partiak të manipulimit të votës së mërgatës të dokumentuar me video.”thuhet në njoftimin e LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dënuar dënon ashpër “fushatën e organizuar të shpifjeve dhe dezinformatave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka për qëllim të komprometojë procesin zgjedhor dhe të delegjitimojë rezultatet që nuk i përshtaten interesave të saj”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të tolerojë që Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor. Të gjithë ata që përhapin dezinformata me qëllim të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe të institucioneve të pavarura do të mbajnë përgjegjësi ligjore. LDK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të paditur për shpifje të gjithë ata që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe antidemokratike në rezultatet zgjedhore.”, thuhet tutje në njoftim.