Një ditë pas supergrabitjes së mbi 19 milionë lekëve nga një bankë e nivelit të dytë në zonën e Bllokut në Tiranë, nëpërmjet çarjes së murit, Policia e Tiranës ka ndaluar me iniciativën e saj drejtorin e filialit të bankës, Luigj Gjonaj si dhe shefin e sigurisë së filialit, Florjan Skarra.
Të dy këta persona, sipas policisë, nuk kanë marrë masat e duhura të sigurisë edhe pse alarmi i bankës ka rënë që mbrëmjen e së premtes. Nga të dhënat e deritanishme mësohet se si drejtori i filailit, ashtu edhe shefi i sigurisë edhe pse janë njoftuar për alarmin, nuk kanë urdhëruar kontrolle të imtësishme në të gjithë perimetrin e brendshëm dhe të jashtëm të bankës, siç e parashikon rregullorja, por janë mjaftuar me një verifikim sipërfaqësor, duke i dhënë mundësi autorëve të punojnë të qetë për tre netë me radhë.
Tani pritet që veprimet e para hetimore të policisë të vlerësohen nga prokuroria, ndërsa do të jetë gjykata ajo që do të vendosë për mbajtjen nën arrest ose jo të dy drejtuesve të filialit të bankës. Sakaq, ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi autorët e kësaj grabitjeje të paprecedentë në vendin tonë.