I dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.
Ai do të takohet me presidenten Vjosa Osmani në orën 14:00, njofton Klankosova.tv.
Vizita e Peachit vjen pas atyre të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të BE për dialogun, Miroslav Lajçak.
Emisari i BE-së ishte të shtunën në Kosovë ku u takua me kryeministrin Albin Kurti.
Ndërkaq, të mërkurën për vizitë në vendin tonë qëndroi edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe liderët opozitarë.
Këto vizita si të evropianëve ashtu edhe të amerikanëve vijnë në kohën kur SHBA-ja dhe BE-ja i kërkuan Kosovës shtyrjen për 10 muaj të afatit për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS.
Vet emisari amerikan, Gabriel Escobar, konfirmoi se ishte sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ai që kërkoi shtyrjen e këtij afati.
Në ndërkohë, shefi i qeverisë kosovare – së fundmi pati një takim me ambasadorët e QUINT-it, por edhe një bisedë telefonike me kryediplomatin evropian Josep Borrell.
Zyra e Kryeministrit, pa dhënë shumë detaje, njoftoi se Kurti dhe Borrell biseduan për dialogun dhe për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.