Vizita e Scholz – Vuçiq: Askush në Evropë deri më tani s’na ka kërkuar njohje reciproke

E publikuar: 10/06/2022 18:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, ka bërë të ditur se ai ka kërkuar që Serbia t’i bashkohet sanksioneve të ShBA-së dhe BE-së kundër Rusisë.

Ai tha se Scholz këtë e kërkoi në mënyrë të vendosur, teksa shtoi se diskutuan për situatën politike në botë.

“Ne diskutuam situatën politike në botë dhe Scholz i kërkoi Serbisë në një mënyrë shumë të vendosur, të qartë dhe të mprehtë që t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, domethënë të mbështesë masat kufizuese që BE-ja tashmë ka miratuar kundër Rusisë”, është shprehur Vuçiq, shkruan Tanjug, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Vuçiq tha se u befasua nga kancelari Scholz i cili tha shumë qartë që Serbia s’mund të jetë pjesë e BE-së pa e njohur Kosovën.

Lideri serb tha se askush në Evropë s’ka folur ndonjëherë për njohje reciproke.

“Askush në Evropë nuk ka folur ndonjëherë për njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës. Këtë e dëgjuam për herë të parë sot në një konferencë shtypi në Prishtinë, është një surprizë e madhe për ne”.

Kujtojmë se kancelari gjerman Olaf Scholz vizitën në Ballkanin Perëndimor e nisi në Kosovë ku gjatë ditës u takua me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, teksa tha se është e paimagjinueshme se Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të BE-së pa e njohur njëra-tjetrën dhe se përfundimi i dialogut duhet të jetë me njohje reciproke.