Zëvendësministri i Integrimeve Europiane, Ramadan Iliazi, në emisionin “Rrokum Roll” të TV Rrokum, tha se është humbur kohë shumë e vlefshme në përpjekjet për liberalizim të vizave.
Viti 2014,sipas Ilazit, ishte një vit i humbur për këtë ambicie të Kosovës, shkaku i ngërçit politik, i cili zgjati plot gjashtë muaj dhe e dëmtoi këtë proces.
Iliazi tha se më 5 qershor, ministri i Integrimeve, Çollaku ia ka dorëzue Samuel Zhbogarit raportin e punës së kryer në procesin e liberalizimit të vizave.
“Zoti Zbogar ka reaguar shpejt. E ka mbledhë një ekip ekspertësh të fushave të ndryshme dhe kanë dalë në terren për mbledhje të fakteve, mes datës 13 dhe 17 Korrik. Ky mision faktmbledhës në shtator do ta dorëzojë raportin dhe pritet të ketë kohë që institucionet e Kosovës të reagojnë në kërkesa eventuale”, tha Ilazi.
Sipas tij, Kosova do t’i ketë 5 kritere më shumë se çdo vend tjetër i rajonit, për ta fituar liberalizimin e vizave.
Ai permendi si kusht për Kosovën demarkacionin me Malin e Zi, kusht që vetë Mali i Zi nuk e ka pasur kur e ka fituar liberalizimin.
“Aty nga fundi i vitit presim që Kosova do të rekomandohet nga Komisioni Europian të hyjë në listën e bardhë, të shteteve që lëvizin lirshëm në zonën Schengen. N’mot, verën e ardhshme, ka shpresë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në zonn Schengen”, tha Ilazi.