Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar Komunën e Ferizajt, me ç’rast është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit, kryetari Aliu u ankua se shëndetësia e Ferizajt është me kapacitete të kufizuara, edhe me spitale, edhe me resurse humane.
Mirëpo, sipas tij, lajmi i mirë për këtë komunë është se do të përfundojë ndërtimi i Spitalit Regjional të Ferizajt dhe i QKMF-së së re, “çështje që kanë mbetur të papërfunduara” e të cilat ai i cilësoi si padrejtësi për Ferizajn.
“Ferizaj vazhdon të ketë një situatë të tillë edhe sot, pavarësisht se në kohën e pandemisë e kemi menaxhuar me sukses falë bashkëpunimit të të gjitha niveleve të shëndetësisë, primar, sekondar dhe terciar, por Ferizaj mbetet me 3400 m2 të spitalit regjional të Ferizajt”.
“Ju e dini tashmë historinë e fillimit të ndërtimit të spitalit që ka ngecur dhe pikërisht sot me ministrin i trajtuam temat që kanë të bëjnë me përfundimin e çështjeve që kanë mbetur të papërfunduara e që padyshim është një lloj padrejtësie që ka pasur në historinë e tij, me ndërtimin e spitalit që iu ka bërë Ferizajt”, tha i pari i Ferizajt.
“Lajmi i mirë është se jemi dakorduar për dy çështje jetike për Ferizajn, ndërtimi i Spitalit Regjional të Ferizajt dhe ndërtimi i QKMF-së së re. Jemi dakorduar që këto çështje të mbyllen si procese”.
Aliu tha se spitali dhe QKMF-ja duhet të mbështeten edhe me stafin adekuat.
“Shëndetësia e Ferizajt është me kapacitete të kufizuara edhe me resurse humane të të gjitha kategorive, prandaj ndërtimi i spitalit dhe QKMF-së do të plotësohen me stafin mbështetës”.